Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë, Rainer Rudolph.
Përmes një njoftimi nga Presidenca, thuhet se Osmani i ka uruar ambasadorit të ri gjerman mirëseardhje dhe suksese në angazhimin e tij diplomatik në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit.
Osmani në këtë takim citohet të ketë thënë se Gjermania ka qenë dhe mbetet një aleate e fuqishme e Kosovës dhe një mbështetëse e palëkundur në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Ndër të tjera në njoftim thuhet se në këtë takim u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe kontributi i çmuar i mërgatës sonë në Gjermani, e cila përmes angazhimit dhe investimeve të saj po forcon lidhjet mes dy vendeve dhe popujve tanë. /21Media