Sot potesta në Tiranë për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së! Rreth 60 autobusë nga Kosova, kush do të marrë pjesë

Sot, më 17 tetor, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbej” të Tiranës do të zhvillohet një protestë madhështore në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Protesta, e cila mban moton “Liria ka emër, Drejtësi për çlirimtarët”, pritet të jetë ndër më të mëdhatë e organizuara ndonjëherë në trojet shqiptare në përkrahje të UÇK-së. Në tubim do të marrin pjesë qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe figura të njohura politike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e më gjerë.
Nga Kosova pritet të vijnë rreth 60 autobusë me qytetarë, ndërsa autoritetet shqiptare kanë njoftuar se “Rruga e Kombit” do të jetë pa pagesë për qarkullim gjatë ditës së sotme, në shenjë solidariteti me pjesëmarrësit e protestës.
Ministria e Infrastrukturës në Shqipëri ka vendosur që “Rruga e Kombit” të jetë pa pagesë për 24 orë, për të lehtësuar qarkullimin drejt Tiranës.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në protestë, përveç Fatmir Mediut që ka deklaruar mbështetjen e tij. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes faqes së Vetëvendosjes, ku mes mbështetjes për protestën ka adresuar edhe kritika ndaj kryeministrit Edi Rama pavarësisht se protesta është organizuar nga veteranët dhe jo nga qeveria shqiptare.
Kjo protestë është e treta me radhë pas atyre të mbajtura në Prishtinë dhe Hagë, ku më 14 shtator u mblodhën rreth 10 mijë shqiptarë në afërsi të Gjykatës Speciale. Në Hagë, që prej 3 prillit 2023, po zhvillohet procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./vizionplus.tv