SHBA-ja paralajmëron për një sulm të Hamasit ndaj civilëve në Gaza

Departamenti Amerikan i Shtetit thotë se ka “raporte të besueshme” se Hamasi po planifikon një sulm “të menjëhershëm” ndaj civilëve në Gaza, i cili sipas tij do të shkelte marrëveshjen e armëpushimit.

Një deklaratë e lëshuar të shtunën tha se një sulm i planifikuar kundër palestinezëve do të ishte një shkelje “e drejtpërdrejtë dhe e rëndë” e marrëveshjes së armëpushimit dhe “do të dëmtonte progresin e rëndësishëm të arritur nëpërmjet përpjekjeve të ndërmjetësimit”.

Departamenti i shtetit nuk dha detaje të mëtejshme mbi sulmin dhe është e paqartë se çfarë raportesh po citonte.

Faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit midis Hamasit dhe Izraelit është aktualisht në proces – të gjithë pengjet e gjalla janë liruar dhe trupat e të ndjerëve ende po kthehen në Izrael.

Gjithashtu, pjesë e marrëveshjes, Izraeli liroi 250 të burgosur palestinezë në burgjet e tij dhe 1,718 të paraburgosur nga Gaza.

Uashingtoni tha se i kishte informuar tashmë garantuesit e tjerë të marrëveshjes së paqes në Gaza – që përfshijnë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë – dhe kërkoi që Hamasi të mbështesë përfundimin e kushteve të armëpushimit.

“Nëse Hamasi vazhdon me këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”, thuhet në deklaratë .

Hamasi ende nuk ka komentuar mbi deklaratën.

Presidenti Donald Trump e ka paralajmëruar më parë Hamasin kundër vrasjes së civilëve.

“Nëse Hamasi vazhdon të vrasë njerëz në Gaza, gjë që nuk ishte në Marrëveshje, nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të hyjmë dhe t’i vrasim ata”, tha Trump në një postim në Truth Social më herët këtë javë.

Më vonë ai sqaroi se nuk do të dërgonte trupa amerikane në Gaza.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza në përgjigje të sulmit të 7 tetorit 2023, në të cilin persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi vranë rreth 1,200 njerëz në Izraelin jugor dhe morën peng 251 të tjerë.

Të paktën 68,000 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, shifrat e së cilës shihen nga OKB-ja si të besueshme.

Në shtator, një komision hetimor i OKB-së tha se Izraeli kishte kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza. Izraeli e hodhi poshtë kategorikisht raportin si “të shtrembëruar dhe të rremë”./21Media

Back to top button