Osmani uron kryeministren e re të Japonisë: Mezi presim të punojmë bashkë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar kryeministren e re të Japonisë, Sanae Takaichi, e cila u bë gruaja e parë në këtë post në vendin historikisht patriarkal.

Osmani tha se Kosova e vlerëson bashkëpunimin me Japoninë, për të cilën tha se është një aleate e palëkundur e popullit të Kosovës.

“Kosova e vlerëson thellësisht miqësinë e saj të gjatë me Japoninë, një aleate e palëkundur i popullit tonë. Ne mezi presim të punojmë me kryeministren Takaichi për të forcuar dhe ndërtuar më tej bashkëpunimin tonë të shkëlqyer në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, ka shkruar ajo në X.

Sanae Takaichi ka fituar një votim historik për t’u bërë kryeministrja e parë grua e Japonisë.

Konservatorja 64-vjeçare njihet si “Zonja e Hekurt” e Japonisë – ajo është një admiruese e ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar Margaret Thatcher.

Kjo është përpjekja e saj e tretë për t’u bërë udhëheqëse japoneze dhe është kryeministrja e katërt në pesë vjet nga partia e saj e goditur nga skandalet, LDP./21Media

Back to top button