Kurtit po i “soset” afati kushtetues për formimin e Qeverisë

Të mandatuarit për formimin e Qeverisë së re, Albin Kurtit, po i soset afati kushtetues pasi i kanë mbetur edhe pak ditë kur duhet të dalë përpara deputetëve të Kuvendit ta dëshmojë nëse ka arritur t’i sigurojë numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë së re.

Kurti, i cili ndodhet për vizitë në Londër ku do të marrë pjesë në procesin e Berlinitn, gjatë një ligjerate me mërgaten shqiptare ka thënë se deri të dielën do të përpiqen maksimalisht për formimin e Qeverisë, por e pranon se e ka të vështirë në mungesë të numrave, prandaj zgjedhjet i sheh si zgjidhje  të fundit.

‘’Do të përpiqemi maksimalisht deri ditën e diel për formimin e Qeverisë sepse të hënën nuk mundemi me u përgatitë. Të hënë ose e kemi bërë Qeverinë ose nuk e kemi bërë…”, tha Kurti

Kurtit ia kanë mbyllur dyert e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë së re pothuajse të gjitha partitë parlamentare shqiptare. Edhe pse kishte një koalicion të nivelit lokal midis LVV-së dhe LDK-së në komunën e Vushtrrisë, pa dijeninë e nivelit qëndror të LDK-së, anëtari i kryesisë së këtij subjekti politik, Gazmend Muhaxheri, ka mohuar zërat se ka negociata të fshehura me LVV-në për koalicion për formimin e Qeverisë së re.

‘’Jo, jo, nuk ka, e as nuk ka me pas negociata me LVV-në. Nuk ka preferenca për koalicion. Ne e kemi dhënë opsionin tonë për Qeveri tranzicioni, Kurti nuk ka dashur, tash është vonë”, tha Muhaxheri për rtv21

Edhe PDK është kundër çdo lloj bashkëpunimi me Kurtin për formimin e Qeverisë Kurti 3. Nga ky subjekt politik i thanë televizionit prapa kamerës se qeverisja e deritanishme e Kurtit i ka sjellë dëme të mëdha vendit, prandaj bashkëpunim me të është i pamundur. Bashkëpunimi me LVV-në nuk preferon as AAK. Deputeti i këtij subjekti politik, Lahi Brahimaj, ka refuzuar kategorikisht të përfshihet në një Qeveri Kurti 3.

“AAK-ja e ka thënë dhe prapë qëndron në atë se në asnjë rrethan dhe për asnjë çmim nuk përfshihemi në një Qeveri Kurti 3. Nëse ata nuk arrijnë që t’i sigurojnë numrat, zgjidhja më e mirë do të ishin zgjedhjet. nuk i ka numrat dhe nuk është i interesuar ta formojë Qeverisë. Siç duket edhe në këtë pjesë nuk ka vullnet të mjaftueshëm  prej të gjitha subjekteve. AAK-ja siç e dini e ka ofru votën për një Qeveri të opozitës pa asnjë lloj kushti apo kërkese me qenë pjesë e Qeverisë, vetëm të bëhet një Qeveri e opozitës.”,  tha Brahimaj

Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt është partia e vetme që ka hapur dyert e bashkëpunimi me Albin Kurtin, por kushti i tyre është që ta kenë postin e kryeparlamentarit. Por, Kurti ka thënë se Limaj ka mundur të jetë nënkryetar i Kuvendit, ta marrë një ministri dhe dy zëvëndësministra. Por, nëse nuk ka një marrëveshje politike deri të dielën, nuk përjashton zgjedhjet e jashtëzkonshme parlamentare.

‘’Siç po duket altenativa do të jenë zgjedhjet.Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe synim për Qeverinë e tyre alternative”, tha Kurti

‘’Konsideroj se ka një mos vullnet nga ana e të mandaturit që të mos përshpejtojë për formimin e Qeverisë duke i pritur rrethanat çështjeve lokale”, tha Albinot Maloku, politolog

LVV e cila ka 48 deputetë, ka marrë mbështetje edhe të disa deputetëve të minoriteteve jo serbe për formimin e Qeverinë Kurti 3, por pa një marrëveshje me ndonjë parti shqiptare parlamentarenuk mund që t’i sigurojë 61 votat e nevojshme./RTV21/21Media

Back to top button