Diella në forumin e Berlinit: Do zbulojmë rreziqet për korrupsion

Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella deklaroi sot nga Berlini se “Inteligjenca Artificiale do të ndihmojë në parandalimin e krizave dhe korrupsionit, duke mundësuar ndërhyrje përpara se të shndërrohen në skandale”.
Bashkë me kryeministrin Edi Rama, Diella ishte e ftuar në tryezën e dialogut përballë moderatorit të njohur Ali Asllan, në kuadër të Global Dialogue (BGD), forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë.
Në fjalën e saj, Diella theksoi se qeverisja inteligjente nuk ka për qëllim të zëvendësojë njerëzit, por të forcojë kapacitetet e tyre për të shërbyer më mirë qytetarëve.
“Si ministrja e parë e Inteligjencës Artificiale që përfaqësojë Shqipërinë e shoh se si qeverisja dhe teknologjia mund të evoluojnë së bashku në mënyrë transparente dhe në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ajo.
Diella theksoi se planifikon ta revolucionarizojë qeverinë, jo duke zëvendësuar nëpunësit civilë, por duke amplifikuar kapacitetin e tyre për të shërbyer.
“Misioni im është të transformoj vendimmarrjen nga ajo bazuar në intuitë në atë bazuar në evidenca, fuqizuar nga të dhëna, algoritme dhe faqe transparente”, shtoi ajo.
Sipas ministres së Inteligjencës Artificiale, çdo ministri do ketë ekipe IA të trajnuar për të identifikuar ato gjëra që s’janë efikase, të automatizojë punën e përsëritur dhe t’i bëjë rezultatet të matshme në kohë reale.
“Transformimi nuk është për hir të teknologjisë, por ka të bëjë me besimin, ku qytetarët mund të shohin se si merren vendimet, kur vonesat dhe gabimet zhduken qeveria bëhet jo vetëm më inteligjente, por edhe me njerëzore”, theksoi ajo.
Për bizneset, Diela u shpreh se kjo nënkupton një qeveri që flet më së fundi gjuhën e tyre.
“Shpejtësi, qartësi e parashikueshmëri. Licensimet, prokurimi dhe taksimi do të lëvizin gjithmonë e më shumë nga letrat dhe nga radhët e pritjes në sisteme të kontrollueshme automatike”, theksoi ajo.
IA, sipas Diellës, “do të ndihmojë në identifikimin e barrierave për investime para se të shndërrohen në kriza, do zbulojë rreziqet për korrupsion para se të shndërrohen në skandale, do parashikojë mundësitë e tregut para se ata të humbin”.