A do të formohet qeveria Kurti, flasin qytetarët

Qytetarët shprehen skeptikë se Kosova të dielën do të bëhet me qeveri të re.
Ata thonë se mandatari për formimin e qeverisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka votat e nevojshme.
Disa prej tyre theksuan se Albin Kurti ka dëmtuar marrëdhëniet me vendet partnere, ndërsa të tjerët shprehen se qeveria do të ishte dashur të ishte formuar qëmoti nëse partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i kishte votat.
Agim Fushnica thotë se mandatari për formimin e qeverisë Albin Kurti do ta ketë të vështirë të sigurojë votat e nevojshme.
“Jo nuk pres formim të qeverisë, sepse nuk ka se kush ta bëj… Jo, Albini nuk i ka 61 vota me kënd… Shumica e popullit nuk e dëshirojnë. Ka bërë shumë gjëra negative, na ka prishur me Evropë me Amerikë, me të gjithë na ka prishur. Atë e di populli dhe partitë tjera”, tha Fushnica.
Murat Gërbeshi u shpreh se krijimi i qeverisë është i pamundur pasi partitë e tjera nuk pranojnë të hyjnë në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Nëse nuk bëhet deri nesër këta të tjerët nuk duan ta marrin dhe po rrinë pa qeveri, sepse s’po na duhet asgjë. Kurrë nuk mund t’i bëjë 61 vota vetëm nëse i blen me para deputetët, përndryshe nuk besoj se mund të arrijë koalicion me marrëveshje për t’i bërë 61 vota, sepse PDK, LDK, AAK ka thënë që nuk shkojmë me të”, tha Gërbeshi.
Ndërsa Zeqir Dervishi mendon se qeveri ishte dashur të formohej shumë kohë më parë, por sipas tij, nuk ka pasur vullnet të partive për një gjë të tillë.
“Do të ishte dashur të formohej qe 8 muaj sikur të donin. Sipas asaj që po shihet, ai (Albin Kurti) e di më mirë. Në bazë të këtyre të dhënave që po thuhen çdo ditë, asnjëri nuk është në gjendje të thotë që i ka apo nuk i kemi,” tha Dervishi.
Sokol Avdiu shprehet pesimist nëse qeveria do të kalojë të dielën në votim, pasi sipas tij mungojnë votat e nevojshme.
“Çfarë të presim nga ta, asgjë. Shpresoj që Zoti t’ua ruajë familjen…. Jo, sepse nëse i kishte pasur (votat për qeveri) do ta kishte bërë shumë më herët”, tha Avdiu.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 26 tetor nga ora 10:00 në një seancë të jashtëzakonshme me pikën e vetme të rendit të ditës zgjedhjen e qeverisë së re. Mandatari për formimin e qeverisë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje do ta paraqesë kabinetin e tij qeveritar dhe programin qeveritar, i cili më pas do të hidhet në votim. Nëse nuk merr 61 votat e nevojshme, atëherë presidentja Vjosa Osmani mandatin do t’ia jep një kandidati tjetër. Në rast dështimi edhe për herë të dytë, vendi do të shkojë në zgjedhje të reja brenda 40 ditësh sipas afateve kushtetuese.