Mosvotimi i Qeverisë “Kurti 3” në fokusin e mediave botërore

(Lajm i përditësuar)


Mosvotimi i Qeverisë “Kurti 3” në fokusin e mediave botërore

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar gjerësisht për dështimin e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për të siguruar mbështetjen parlamentare për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se vendi po përballet me një tjetër krizë politike që mund ta çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Mediumi amerikan Bloomberg ka raportuar për situatën e tensionuar politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme për të formuar qeverinë e re.

Sipas mediumit amerikan, deputetët u mblodhën në orët e fundit të afatit kushtetues për krijimin e kabinetit të ri, por Kurti nuk arriti të marrë miratimin e Kuvendit për përbërjen e tij ministrore.

Bloomberg shkruan se Kurti u kishte bërë thirrje deputetëve të votonin në interes të shtetit dhe qytetarëve, duke paralajmëruar se mungesa e një qeverie funksionale mund të çonte në bllokimin e buxhetit dhe në vonesat e pagave publike, pensioneve, ndihmave për fëmijë dhe furnizimeve mjekësore. Ai kishte theksuar gjithashtu se dhjetëra agjenci shtetërore vazhdojnë të funksionojnë pa mbikëqyrje për shkak të vakumit politik.

Ndërkaq mediumi turk, TRT World, ka shkruar Kurti nuk arriti të marrë votat e nevojshme në Kuvend, pasi partia e tij Lëvizja Vetëvendosje (VV) siguroi vetëm 56 vota, pesë më pak se shumica e kërkuar prej 61 deputetësh. Mediumi turk shkruan se ky dështim ka thelluar paqartësinë politike në vendin më të ri të Evropës.

TRT World thekson se tani presidentja e Kosovës duhet të emërojë një kandidat tjetër për një votim të dytë, ndërsa mbetet e paqartë nëse Kurti mund të rikandidojë apo nëse do të propozohet një përfaqësues nga opozita. Në rast se as raundi i dytë nuk sjell shumicën e nevojshme, vendi mund të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja.


Dështon Kurti 3 

Kuvendi i Kosovës nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re. Propozimi për Kurti 3 mori vetëm 56 vota pro. Katër abstenuan.

Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se tash përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani.


Kurti prezanton kabinetin qeverisës

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti ka prezantuar kabinetin me të cilin synon të formojë Qeverinë Kuri 3.

Disa nga emrat dhe ministritë:

Zëvendëskryeministër, Ministër i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Familje, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër për Administratë dhe Digjitalizim, Lulzon Jagxhiun

Ministër i Arsimit, Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

MAPL, Rasim Demiri

Ministre për Mjedis, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës, Dimal Basha

Ministër për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq

Ministër i Zhvillim Rajonal, Sejnur Vejshall


Kurti: Votojeni Qeverinë “Kurti 3” për vazhdim të qeverisjes së mirë

Albin Kurti e vazhdoi fjalimin duke përmendur disa nga arritjet më të mëdha, sipas tij, të qeverisjes së tij gjatë mandatit të fundit.

Ai citoi institucione e qendra kërkimore të huaja, si qendra amerikane Gallup dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe pastaj kërkoi votat e deputetëve në mënyrë që të vazhdohet kjo lloj qeverisjeje.

“Ne jemi vendi më demokratik në rajon”, tha Kurti, duke shtuar se kjo është arritur nga puna e të gjitha partive politike dhe qytetarëve të Kosovës.

“Unë do të jem përherë i gatshëm, si në këto katër vjet, për diskutime deri në shterim”, tha Kurti.

Ai tha se këtë e ka dëshmuar kur ka debatuar me orë të tëra për buxhetin dhe qeverisjen e tij katërvjeçare në dy seanca të kërkuara nga opozita, në dhjetor të vitit të kalua


Kurti: S’kemi koalicion

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka arritur të sigurojë koalicion për të qeverisur.

“Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bëmë ftesë nuk ka pranuar që të hyjë në bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar që të kishte koalicion. Po të pranohej oferta, sot do t’i kishim ofruar vendit qeverinë, por do ta kishim numrat që ta kalonim edhe sfidën e presidentit”, ka thënë ai në fillim të prezantimit.


Kurti prezanton kabinetin me të cilin synon edhe një mandat qeverisës

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti ka nisur prezantimin e kabinetit me të cilin synon të formojë Qeverinë Kuri 3.

Kurti ka numëruar edhe ato që ka thënë se do të jenë pesë vendimet e para, po që se merr besimin e deputetëve.

“Miratimi i projektligjit të buxhetit 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek 200 mijë pensionist, vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe miratimi i ndryshmit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët”, ka thënë ai.


Fillon Seanca Plenare 

Me mbi një orë vonesë ka filluar seanca plenare e Kuvendit për formimin e Qeverisë.

 



Kinolli: Kemi arritur marrëveshje me VV-në

Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kinolli deklaroi se e kanë përzgjedhur kandidatin për ministër nga partia e tij.

“Ne kandidatin e kemi këtu për ministër. Besoj që do të reflektojë dikush. Me rëndësi që institucionet të formohen. Jemi të gatshëm që me i pranu përgjegjësitë”, tha ai para seancës.


Kurti, Limaj e Basha jashtë sallës së Kuvendit

As mandatari për të formuar Qeverinë e re, Albin Kurti, as kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj nuk janë në sallën e Kuvendit.

Gazetari i RTV21 nga salla e Kuvendit raporton se ka spekulime se Kurti dhe Limaj po zhvillojnë një takim jashtë sallës.

Ora është 10:57 dhe seanca nuk ka filluar ende.


Berisha: Nëse varet nga vota ime, unë do ta zhbllokoj

Deputeti Veton Berisha, nga Partia Liberale Egjiptiane, ka thënë se ai do të votojë pro Qeverisë së re nëse formimi ose jo i kësaj qeverie varet nga vota e tij.

I ndalur nga gazetarët para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, ai tha se është takuar mbrëmë me mandatarin Albin Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe se pret të shohë se çfarë do të shpalosë ai sot në Kuvend.

“Nëse varet nga vota ime, unë do ta zhbllokoj”, tha Berisha.

Ai dhe deputetja boshnjake Duda Bale janë dy nga tre deputetët që përfaqësojnë pakicat joserbe në Kuvendin e Kosovës që kanë shprehur më shumë skepticizëm për një Qeveri të re. Bashkë me ta është edhe deputeti goran Adem Hoxha.


Haradinaj: Epilogu i ditës së sotme dështim

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj para seancës së sotme tha se zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Ai tha se epilogu i ditës së sotme mund të jetë dështim, andaj si zgjidhje i sheh zgjedhjet.

“Po presim lëvizjen e partisë që ka marrë më shumë vota, të shohim se çfarë po i ofron Kuvendit. Jemi në pritje të një rezultati të sotëm. Epilogu i ditës së sotme mund të jetë dështim, zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet”, tha ai.


Limaj: Nuk jam kontaktuar nga VV 

Kryetari i Nisma Socialdemokratike, Fatmir Limaj është deklaruar shkurtimisht pak para fillimit të seancës për Qeverinë “Kurti 3”.

Tutje Limaj tha se qëndrimet e partisë së tij mbeten të njëjta, dhe ato janë publike.

“Jo nuk jam kontaktuar”, tha Limaj kur u pyet nëse Lëvizja Vetëvendosje e ka kontaktuar ditëve të fundit.


Deputetë të Listës Serbe nuk deklarohen për media

Deputetët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, janë parë hyrë në Kuvendin e Kosovës për të marrë pjesë në seancën e thirrur në orën 10:00, por nuk janë deklaruar për media.

Ata kanë dërguar lëndë në Gjykatën Kushtetuese meqë vlerësojnë se zgjedhja e Nenad Rashiqit si nënkryetar serb, nuk është në linjë me Kushtetutën dhe rregulloret e Kuvendit.

Rashiq i takon Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë./rel


Lushtaku: Do të ketë zgjedhje të reja

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është shprehur i bindur që vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

Ai teksa hynte në Kuvendin e Kosovës aty ku pritet që të votohet Qeveria e re, tha se vendi po përballet me një zhgënjim të madh, dhe se përveç krizës politike, është krijuar edhe një pasiguri për vendin.

“Deri më tani nuk jam i informuar që ka ndonjë thirrje nga partia e parë, kam dëgju fjalë por nuk e di se për kë është bërë fjalë. Po më vjen keq për juve si gazetarë edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, po shihet qe Kosova do të zhvilloj katër palë zgjedhje brenda një viti, kjo tregon që kemi një krizë institucionale dhe një dështim politik dhe fatkeqësisht sjell një rezultat me dëme milionëshe për vendin, sigurisht një zhgënjim të madh për vendin. Kjo krizë politike nuk është vetëm krizë politike por edhe krizë institucionale dhe ka kriju një pasiguri të madhe për vendin”, tha ai.

Më tej ai theksoi se “Ka vetëm një adresë ky zhgënjim dhe egoizëm i madh dhe ky autoterizëm i madh dhe është emri i Albin Kurtit dhe sigurisht është një zhgënjim i madh. Ne kemi dhënë fjalën që nuk do të krijojmë qeverinë sepse nuk i kemi numrat por ka qenë përgjegjësia e partisë të parë dhe kjo krizë është fal saj”.


Haradinaj: S’besoj në Qeveri Kurti 3 

Para fillimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së Daut Haradinaj ka ngritur dyshime për marrëveshje të fshehta politike lidhur me votimin për formimin e qeverisë së re.

Ai tha se nuk pret që të ketë “Qeveri Kurti 3”, duke paralajmëruar se votimi mund të zhvillohet në mënyrë të fshehtë.

“Nuk lidhte votë për Dimal Bashën, nuk pres që do të ketë Qeveri Kurti 3 nëse ka arritur ndonjë pazar gjatë natës. Kam informacion se do të jetë votim i fshehtë,”  tha Daut Haradinaj para fillimit të seancës.


A do ta votojë dikush nga LDK-ja Qeverinë “Kurti 3”- tregon Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk e beson që dikush jashtë vullnetit të partisë do të votojë për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se është çështje delikate votimi i Qeverisë pa marrëveshje politike paraprake.

“Unë kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore. Partitë politike pas ditës së sotme nëse dështon qeveria të shohim, a do të shkojmë në zgjedhje a të bëhet një qeveri e përkohshme që të kalojë buxheti ose ndonjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.


Abdixhiku: Punët e mira nuk lihen ditën e fundit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se sot do të bie perdja e mashtrimit 8 mujor të Albin Kurtit.

“Punët e mira nuk lihen ditën e fundit. Sot bjen perdja e madhe e mshtrimit 8 mujor në të cilin mashtrim na është thënë që numrat janë, se ka shumicë. Ja tani ku është mundësia për të parë të vërtetën. Sot mandatari duhet të prezantojë shumicën. Për të formuar shumicën një njeri që fiton zgjedhjet do duhej të bënte përpjekje me çdo parti politike, e më së paku ta linte ditën e fundit. Ditën e fundit është show populist”, tha Abdixhiku.


Murati: Shkuarja në zgjedhje rrezikon shumë procese, sot të shikohet interesi shtetëror

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje.

Në një status në Facebook, Murati ka shkruar se nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.

“Në seancën e sotme janë dy mundësi, ose do të kemi Qeveri Kurti 3 ose vendi do të shkojë edhe njëherë në zgjedhje duke rrezikuar shumë procese si Buxheti, Plani i Rritjes i BE-së, funksionimi i institucioneve të pavarura etj. Opsioni i dëshiruar për ne natyrisht që është opsioni i parë. Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.

Murati ka thënë se uron që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik te secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash.


Sveçla: Për hajër ju koftë Kurti 3

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pak më parë është futur në objektin e Kuvendit, ku nga ora 10:00 është paraparë të nisë seanca e jashtëzakonshme për qeverinë.

Ai është pyetur nga gazetarët nëse VV i ka siguruar votat për formimin e qeverisë.

“Për hajër ju koftë Kurti 3”, tha ai duke qeshur.


Tahiri thotë se Kurti do të dështojë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri thotë se partia e tij nuk ka votë për “Qeverinë Kurti 3”.

Pos tjerash, para mediave ai tha se PDK nuk do të hyjë në koalicion me LVV-në.

“Partia Demokratike e ka bërë të qartë prej certifikimit të zgjedhjeve, që në asnjë rrethanë nuk do të jetë pjesë e asnjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe as nuk do të ketë votë për Lëvizjen Vetëvendosje”, tha ai.

Tutje, Tahiri u shpreh i bindur që Albin Kurti do të dështojë të zgjedh Qeverinë e re.


Live- Seanca e Kuvendit a bëhet Qeveria Kurti III

Albin Kurti sot ka ditën e fundit sipas mandatit që ka marrë nga Vjosa Osmani për të prezantuar kabinetin e tij qeverisës dhe programin qeverisës në rolin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.

Deputetët do të mblidhen në seancën e jashtëzakonshme plenare me rendin e vetëm të ditës – zgjedhja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga ora 10:00, por për formimin e ekzekutivit të ri nevojiten 61 vota.

Në rast të mos formimit, Albin Kurti do të bëhet mandatari i parë që do të dështojë për krijimin e qeverisë së re, pasi në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash herën e parë.

Presidentja Osmani ka theksuar se nëse nuk kalon Qeveria e re sot, atëherë ajo brenda dhjetë ditëve do t’i ftojë partitë të shohin nëse ndonjëra prej tyre mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.

Nëse qeveria nuk formohet as pas tentimit të dytë, Osmani sipas Kushtetutës duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda 40 ditëve.

Në të gjitha proceset e tjera për formimin e qeverisë, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash në herën e parë: Bajram Rexhepi në vitin 2002, Ramush Haradinaj 2004, Bajram Kosumi 2005, Agim Çeku 2006, Hashim Thaçi 2008, 2010, 2014, Isa Mustafa 2014, Ramush Haradinaj 2017, Avdullah Hoti 2020 dhe Albin Kurti 2020, 2021.

Kujtojmë, më 9 shkurt, Vetëvendosje doli fituese me 48 ulëse në Kuvend, PDK 24, LDK 20, koalicioni AAK-Nisma 8. Komuniteti serb ka 10 ulëse të garantuara, 9 prej të cilave u fituan nga Lista Serbe dhe një nga Nenad Rashiq Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë. 10 ulëse tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet jo-serbe.

Back to top button