Anarki”, Peci: LVV-ja ka qëllim ta dërgojë vendin në kolaps e pastaj në grusht-kushtetues

(Lajm i përditësuar)


“Anarki”, Peci: LVV-ja ka qëllim ta dërgojë vendin në kolaps e pastaj në grusht-kushtetues

Analisti Lulzim Peci në emisionin “Click” në RTV21 tha se Vetëvendosja po përpiqet t’i naturalizojë thirrjet kushtetuese në vend. Sipas tij, kjo paraqet rrezik sepse mund të shpie deri në kalimin në një kushtetutë të re.

“Do të thotë t’i naturalizojë kur është çështje më e madhe; do të thotë lejohet edhe thyerja e Kushtetutës e të tjera. Kjo është një tendencë shumë e rrezikshme e krijimit të një anarkie, sepse si del prej rendit kushtetues t’i hyn në domenin e anarkisë, dhe vendosja e politikës mbi Kushtetutën — çfarë po tenton ta bëjë Vetëvendosje për qëllime elektorale. Unë mendoj që pikërisht kjo tendencë e VV duhet të ndëshkohet nga elektorati, sepse ne nuk po e kuptojmë që kjo tendencë është kalkulim politik; po është kalkulim politik i rrezikshëm që neve na përplaset për fytyrë çdo ditë dhe mundet me na dërguar në kolaps të shtetit. Unë mendoj që dëshira më e madhe deri tash është që Kosova të kolapsojë duke fajësuar të tjerët pa e marrë përgjegjësinë për veten. Ky është rreziku më i madh”, tha ai, duke shtuar se situata e kolapsit është e volitshme për të kaluar në një situatë totalisht jo kushtetuese.

“Do të thotë, kalojmë në një domen të paparashikueshëm kushtetues dhe një situatë e tillë është situata më e volitshme e anarkisë, e volitshme për të kaluar në një sistem revolucionar, apo ajo që quhet grusht-kushtetues; unë mendoj që qëllimi i fundit është kjo”, tha ai.

Më tej, Peci u shpreh se kur të kalojë gjithçka, shtrohet kërkesa për një kushtetutë të re.

“Dhe kjo do të jetë Republikë e re siç parashihet; faza anarkike është qëllim dhe recetë për të mbërritur në këtë pikë, nëse mbërrijmë në këtë pikë.”


“Osmani mund t’i rikthehet Listës Guxo”, Peci: Zgjedhjet e dhjetorit determinuese për të

Analisti Lulzim Peci në emisionin “Click” në RTV21 tha se nëse zgjedhjet do të mbahen në dhjetor, do të jenë determinuese edhe për presidenten Vjosa Osmani.

“Se a do ta ketë edhe një mandat apo jo, nëse shihet situata që ne mund të shkojmë edhe në një palë zgjedhje për shkak të presidentes, unë besoj që Vjosa Osmani do të japë dorëheqje nga pozicioni i presidentes menjëherë pas zgjedhjeve, nëse nuk po i konvenojnë rezultatet, dhe mandej do të veprojë në bazë të kalkulimit të saj politik”, tha ai, duke shtuar se nuk mund të përjashtohet rikthimi i saj në Listën Guxo.


Peci: Përgjegjësinë për këtë situatë e ka Vetëvendosje

Analisti Lulzim Peci në emisionin “Click” në RTV21 tha se opozitës së mandatit të kaluar i ka konvenuar zvarritja e krijimit të institucioneve.

“Për disa arsye, së pari opozita vet nuk ka qenë e kënaqur me zgjedhjet e kaluara”, tha ai.
Por sipas tij, ndryshimi i gjendjes dhe momentumi i mbajtjes së zgjedhjeve nuk ka qenë në dorën e ish-opozitës, por përgjegjësia ishte e Vetëvendosjes.

“E për këtë arsye Vetëvendosja e ka përgjegjësinë më të madhe për këtë situatë, e që ndoshta i ka konvenuar opozitës; tjetër është me pasë përgjegjësi, tjetër me të konvenu”, tha ai.


Peci: Loja është se po kalkulohet kur të mbahen zgjedhjet, me 1 dhjetor apo me 28 kur vjen diaspora

Analisti Lulzim Peci në emisionin “Click” në RTV21 tha se Presidentja Vjosa Osmani nuk u vonua në thirrjen e krerëve të partive në takim, ngase sipas tij ajo ishte në Arabinë Saudite e si rezultat i saj erdhi njohja nga Siria.

“Unë mendoj që ne, proceduralisht, presidentja duhet të konsultohet se a i ka dikush votat për me u mandatuar për kryeministër të vendit, edhe nëse po, mirë, nëse jo, unë besoj që ne mund të shkojmë drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Mund të kemi një skenar tjetër, LVV-së nuk i ndalohet që ta ketë një mandatar, por nuk mund të jetë Kurti, duhet të jetë dikush tjetër, por opozita mund të ketë një mandatar”, tha ai.

Sipas tij, gjasat janë shumë të mëdha që nuk mund të kemi formim të qeverisë.

“Loja është kah bëhet, është se a të mbahen zgjedhjet më 1 dhjetor apo më 21 a 28 dhjetor, kur diaspora është në dhjetor, e ky është kalkulim i Vetëvendosjes”, tha ai, duke shtuar se diaspora nuk është më pro VV-së siç ishte më përpara./21Media

Back to top button