Shatri për buxhetin, rritjen e pensioneve e shtesave: Vendime me i mashtru ata që i hanë foret

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë në detyrë për miratim të projektbuxhetit për vitit 2026 është i kontestueshëm meqë sipas tij, kjo qeveri nuk ka kompetencë për një gjë të tillë.
Shatri tha për RTV21 se ky vendim si dhe ai për rritjen e pensioneve e shtesave për fëmijë dhe jo vetëm, është bërë nga qeveria Kurti vetëm për çështje elektorale sa për “me i mashtru ata që i hajnë foret”.
“Është shumë joserioze dhe shumë e kontestueshme në aspekt ligjor që një grup njerëzish e kanë uzurpuar një institucion shtetërore dhe vetë propozojnë ligje vetë kanë me dalë me i votu. Kush do ta bëjë ekspozenë e buxhetit ministri në detyrë del para Kuvendit e paraqet ekspozenë dhe kthehet ulet në karrige dhe e voton. Të njëjtit njerëz që janë ministra në detyrë janë deputetë dhe nëse ata largohen prej salle kur votohet ai dokument s’do t’i kenë votat. Nëse rrinë dhe votojnë buxhetin qe e kanë propozuar vetë është jashtë logjike është thjesht me u tallë me opinionin. Më duket se janë ngutë me bo me i mashtru ata që i hajnë foret për me marrë ja rritje pensioneve ja të shtesave ja rritje të buxhetit 4 miliardë por prej kujt prej njerëzve jo kompetentë me bo atë punë. S’ka kompetencë ligjore qeveria në detyrë me propozu ligje. Por po bëjnë lojë më shumë për efekte për zgjedhje lokale të rundit të dytë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Shatri për RTV21./RTV21/21Media