Rama i bindur se do i fitojë zgjedhjet: Hajrulla Çeku do ma shtrëngojë dorën më 9 nëntor

(Lajm i përditësuar)

Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, shpreh përkushtimin e tij të pandërprerë ndaj kryeqytetit, teksa tha se “Unë përmbushem çdo ditë, secilën ditë që më jep mundësia me dhënë për kryeqytetin.”

Rama lë të kuptohet se marrëdhënia me Hajrullah Cekun po mbetet në fokus, ndërsa shpreh pritjen për takimin e radhës më 9 nëntor.

“Jemi takuar një herë, me siguri do të takohem prap tash e mirëpres takimin e radhës.”, tha Rama.


Rama përgjigjet ndaj ”akuzave”: E çmoj UÇK-në, kam qenë përkrahës që nga fillimi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në RTV21 ka folur ndaj reagimeve që pati pas pjesëmarrjes në protestën paqësore për UÇK-në në Tiranë.

Ai nënvizon se përveç përkrahjes simbolike, ka qenë prezent në aktivitete paqësore dhe në çdo vend ku është dashur të tregojë mbështetjen e tij për UÇK-në dhe kauzën e drejtësisë.

“Dikush mundet me thënë se nëse e sheh kryeqytetin apo vendimet e mia për të rikrijuar sektorin për organizatat e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e sheh që unë e çmoj UÇK-në. Kam qenë përkrahës që nga fillimi, e kam përkrahur edhe në Prishtinë protestën paqësore, jam pro drejtësisë, dhe si rezultat kam qenë edhe në Tiranë, jam kudo që është nevoja të tregoj që jam pas vlerave të UÇK-së dhe pas drejtësisë.”


Rama i bindur: Unë kryetar edhe për 4 vite

Përparim Rama në RTV21 shprehu besimin e tij të plotë për një mandat të dytë si kryetar i Prishtinës. Ai thekson se qytetarët dhe anëtarët e partisë e kanë treguar mbështetjen e tyre që në raundin e parë të zgjedhjeve, duke siguruar një vazhdimësi të projekteve dhe zhvillimit të qytetit.

“Kryetar edhe për 4 vite? Absolutisht po. Unë nuk kam asnjë frikë. Qytetarët e kanë treguar mbështetjen e tyre edhe në raundin e parë, duke më votuar si kryetar të kryeqytetit dhe brenda partisë sime. Kjo është siguri. Nëse ndodh ndonjë ndërprerje, këto projekte do të mbeten të gjysmë, sepse nuk ka kush t’i menaxhojë, dhe do të mbetet kaos total.”


Rama i hapur për çdo bashkëpunim përfshirë edhe PDK-në, ”Pres votë edhe nga Uran Ismajli”

”Na e kopjuan programin tonë” Rama: Pres votë nga Hajrulla Çeku

Përparim Rama, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, ka theksuar se është i hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë politike dhe qytetarët, përfshirë edhe PDK-në dhe Uran Ismajlin. Ai theksoi se vizioni dhe programi i tij për qytetin janë më përpara dhe më të plotë se propozimet e tjera, duke i bërë ofertat e tij më gjithëpërfshirëse dhe konkrete.

“Ne jemi në takime dhe diskutime. Llogaris votën e secilit qytetar të kryeqytetit, edhe të Uran Ismajlit. Pres votë edhe prej Hajrulla Cekut, sepse edhe ai e di se nuk kanë vizion e as mision. Propozimet e tyre janë propozime që ne i kemi përfunduar tashmë. Momentin kur lexon programin tonë, e sheh se propozimet që ata i prezantojnë janë vetëm kopje e asaj që ne kemi përfunduar.”, tha Rama.

Përparim Rama, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, ka folur për mbështetjen që e ka marrë nga Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në balotazh.

“Sot pata një takim shumë të këndshëm me Bekën nga AAK-ja. Ai tha se i pëlqen koncepti i Smart City. Më  tha se ”Unë  të përkrahi pa marrë parasysh jam pas teje me gjithë Aleancën”. Gara ka qenë e pastër dhe demokratike, dhe fituesi i garës së parë meriton urime. Shpresoj që edhe gara e dytë të jetë po aq e drejtë, dhe fituesi të ketë vizionin, misionin dhe projektet më të mira. Siç kam thënë edhe para katër viteve, më duhen 8 vite për të transformuar Prishtinën. Jemi duke punuar për tejkalimin e çdo bllokade që pengon zhvillimin e qytetit.”, tha Rama.


Rama: Çeku nuk ka liri për vetën gjithçka qëndron te kush “kollitet”, dikush duhet me mbajt për dore

Rama: Çeku deri sa të marrë miratimin e kryetarit, nuk ka fuqi vendimmarrëse

Përparim Rama, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, ka ”kritikuar” mënyrën e qeverisjes së Vetëvendosjes, duke thënë se liderët e saj veprojnë vetëm për interesa partiake dhe jo për qytetarët.

Ai ka treguar se ky mentalitet i bllokadës ka ndikuar në projektet kulturore dhe infrastrukturore, duke i mbajtur të mbyllura institucione të rëndësishme si muzeu dhe teatrot.

Rama tutje kritikon veprimet e Hajrulla Çekut kandidat për Prishtinë nga VV, duke thënë se ai nuk ka guxim të marrë vendime vetë dhe gjithçka varet nga urdhrat e kryetarit të VV-së.

“Kjo tregon shumë qartë se kush kollitet si thotë populli ynë , një person që nuk ka liri për të marrë vendime vetë, i cili ndoshta i anulohen pjesëmarrjet dhe vendimet nga dikush në parti. Deri sa të marrë miratimin e kryetarit, nuk ka fuqi vendimmarrëse. Kjo tregon se si ia dojnë të mirën kryeqytetit. E kanë treguar edhe në nivelin qendror: muzeu i mbyllur, teatrin e mbyllur, ndërtesat që janë nën udhëheqjen e ministrit për 4 vite janë të mbyllura, edhe pse iu kemi ofruar ndihmë. Është një mënyrë që nuk ofron optimizëm për zhvillim, por vetëm bllokadë dhe sabotazh”, tha Rama.

 


Rama: Kurti nuk është lider i popullit e sheh Kosovën vetëm ku është VV-ja

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama në RTV21, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar atë si një udhëheqës që nuk përfaqëson gjithë qytetarët e Kosovës.

Sipas Ramës, Kurti punon vetëm për anëtarët e nënshtruar të partisë së tij dhe nuk pranon mendime të ndryshme, duke theksuar një mentalitet të ngurtë politik që kufizon vizionin e tij për vendin.

“Kjo tregon se ai nuk është lider i gjithë popullit. Tregon se ai është i interesuar vetëm për njerëzit e nënshtruar të partisë, një mentalitet i ngurtë që sheh Kosovën vetëm ku është VV-ja. Ata që nuk i nënshtrohen, duhet të largohen, edhe nëse kanë mendim të lirë.”, deklaroi Rama.


Rama: VV po e përdor pushtetin për t’i shërbyer vetëm Kurtit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka pranuar se dikur kishte përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje kur ajo ishte në opozitë, por theksoi se është zhgënjyer plotësisht nga mënyra se si kjo parti ka qeverisur pas ardhjes në pushtet. Ai tha se pushteti aktual po përdoret për përfitime partiake e personale, dhe jo për t’u shërbyer qytetarëve.

“Kur kam qenë në Londër, e kam përkrahur Vetëvendosjen si opozitë, sepse kam besuar që është e vërtetë – derisa e kam kuptuar se nuk është ashtu. Kur kanë ardhur në pushtet, kanë bërë gjithçka vetëm që të qëndrojnë në pushtet. E përdorin pozitën e tyre për të përfituar partia që i shërben vetëm Kurtit, e jo siç do të duhej – për t’u shërbyer qytetarëve.Kanë pasur mundësi të bashkëpunojnë me mua. Dy vitet e para kam menduar se nuk po dinin, por më pas e kuptova se po e bënin qëllimisht.”, tha Rama.


Rama: Kurti kërkoi të dilte në vendin tim, e lejova mendësia e tij më ka befasuar

Rama: Kurti i do vetëm të nënshtruarit,  kush s’është me të bllokohet

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama në RTV21 ka thënë se kryeministri  aktual Albin Kurti ka një “ego personale dhe mendësi përjashtuese” ndaj atyre që nuk janë pjesë e Vetëvendosjes. Rama tha se Kurti e ka shndërruar qeverisjen në lojë partiake dhe ka penguar bashkëpunimin institucional, madje edhe në projekte madhore si Lojërat Mesdhetare.

Ai tutje ka duke folur për procesin e prezantimit të Lojërave Mesdhetare,  ka zbuluar një prapaskenë ku tha se kishte lejuar Kurtin të merrte rolin e tij në skenë vetëm për të mos rrezikuar mbajtjen e lojërave në Prishtinë. Sipas tij, kjo ishte një sakrificë që e bëri për interesin e qytetit dhe të Kosovës.

“Nuk i mbeti hatri, sepse ai kërkoi të dilte në vendin tim atje. Unë e lejova, për hatrin që t’i merrnim Lojërat Mesdhetare. Nëse do të thoja ‘jo’, atëherë ata nuk do t’i garantonin të hyrat për këto lojëra. Unë thashë: ‘Urnoni, dilni, prezantoni, s’ka problem. Mendësia e ngushtë e kryeministrit Kurti më ka befasuar. Ai ka treguar një ego personale që nuk sheh përtej vetes. Shihet qartë edhe në relacionet e tij – një kryeministër që thoshte: ‘Ose je me neve, ose të bllokojmë’. Kjo është një mendësi e rrezikshme për vendin tonë. Është mendësi që nuk sheh përtej vetes, një parti që i shërben Kurtit, jo qytetarëve. Ata që janë të nënshtruar përfitojnë, kurse të tjerët që kanë mendim ndryshe, nëse nuk nënshtrohen, hiqen. Edhe në Vetëvendosje ka pasur njerëz që kanë pasur ideale, që kanë besuar në idealin e tyre, por nuk kanë mundur të qëndrojnë me këtë mendësi.”, deklaroi Rama.


Rama akuzon Muratin dhe Çekun: Tentuan të zhvendosin Lojërat Mesdhetare dhe të bllokojnë projektet e Prishtinës  

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka ”akuzuar” ashpër ministrat në deytrë Hekuran Murati dhe Hajrulla Çeku për, siç tha ai, “bllokim të projekteve komunale” dhe përpjekje për “të zhvendosur Lojërat Mesdhetare nga Prishtina”.

Në RTV21, Rama u shpreh se veprimet e qeverisë aktuale janë të koordinuara dhe me qëllim politik, duke e cilësuar rastin e ndryshimit të emrit të projektit të Lojërave Mesdhetare si “skandal që s’ka ndodhur kurrë më parë në histori”.

“Këtë janë munduar me bë, por shihet qartazi që një ministër tash e katër vite ka qenë bllokues i projekteve. Hekuran Murati dhe Hajrulla Çeku i kanë bllokuar projektet tona. Shihet qartazi çfarë planifikimi kanë pasur – që ky bllokues, i cili na ka penguar projektet, tani të dalë e të shitet sikur ia dëshiron të mirën kryeqytetit. I njëjti ka shtyrë proceset edhe për Lojërat Mesdhetare, duke tentuar ta ndryshojë emrin prej Prishtina 2030 në Kosova 2030, sepse ka dashur t’i çojë lojërat diku tjetër. Hajrulla Çeku nuk e ka kërkuar këtë prej meje, por prej Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave, diçka që, sipas tyre, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtyre lojërave. Një qeveri të kërkojë ndryshimin e emrit dhe të nënshkruajë një kontratë të re, pas asaj që ne tashmë e kemi nënshkruar, është e papranueshme. Atje, gjatë nënshkrimit, ftesa nuk ishte për ministrat — unë kam qenë nikoqir. Por ata kanë kërkuar që ta prezantojnë vetë projektin, jo unë. Ka qenë befasi edhe për Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.”, tha Rama.


Rama: Po tentojnë me ble vota një javë para balotazhit

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, njëherësh kryetari aktual i komunës, Përparim Rama, në një intervistë për RTV21 ka kritikuar ashpër vendimin e Qeverisë për miratimin e buxhetit të vitit 2026. Ai e ka quajtur këtë veprim “blerje votash” nga një qeveri që, sipas tij, është në detyrë dhe nuk ka mandat të miratojë buxhetin.

“Kisha me qenë i lumtur nëse kjo Qeveri do ta lëshonte buxhetin tonë, të hyrat vetanake që i mban jashtëligjshëm dhe për të cilat kemi bërë padi, sepse ajo që ka ndodhur sot  vendimi për miratimin e buxhetit për vitin 2026 nga një qeveri në detyrë  është blerje votash. Një qeveri që nuk ka mandat, nuk duhet të ketë mandat për të miratuar buxhetin. Është një lojë që vazhdon vetëm me gënjeshtra për qytetarët, për të blerë kohë dhe për të blerë vota. Sot qytetari është më i mençur, i kupton këto lojëra dhe përpjekje për blerje votash,” tha Rama.

Rama tutje theksoi se Komuna e Prishtinës po përballet me vështirësi financiare për shkak të, siç tha ai, “bllokimit të të hyrave vetanake” nga Qeveria në detyrë.

Ai kërkoi që ekzekutivi t’i lirojë këto mjete, të cilat sipas tij i takojnë komunës dhe janë të domosdoshme për realizimin e projekteve kapitale dhe pagesën e obligimeve ndaj operatorëve ekonomikë.

“Neve, ajo që e kërkojmë, kjo qeveri mund ta bëjë sot në mënyrë të ligjshme. Kurse ajo që kanë bërë sot është jashtëligjshme. Sot munden me na i lëshu të hyrat vetanake që po i mbajnë jashtëligjshëm të hyrat tona vetanake. Po bëjnë lojna,” tha tutje Rama.

“Të gjitha projektet tona ndërtimin e çerdheve, shkollave, rrugëve të ndryshme, pagesën e kompanive që bëjnë pastrimin e ndërtesave, si dhe kuzhinat për shujtat e fëmijëve tanë kemi probleme t’i paguajmë si rezultat i bllokimit të mjeteve. Kemi ushtruar padi ndaj ministrit aktual të Financave,” shtoi ai. /RTV21/21Media

Back to top button