Presidentja Osmani dhe Qeveria kritikohen nga drejtues të sistemit të drejtësisë

Drejtues të sistemit të drejtësisë kanë kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmani për mos dekretimin e Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit, duke thënë se kjo vonesë ka krijuar një pasiguri institucionale që ka ndikim të drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit prokurorial. Gjithashtu, u kritikua edhe Qeveria për mos ndarjen e mjaftueshme të buxhetit, duke thënë se mbajnë përgjegjësi edhe për mungesën e drejtësisë.
Kështu u tha në konferencën vjetore e Prokurorit të Shtetit, në të cilën përfaqësues të BE-së në Kosovë, u thanë prokurorëve që secili sukses dhe procedurë që e bëni si duhet është mirë për popullin e Kosovës por edhe për rrugëtimin e Kosovës për në BE.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi tha se vitin e kaluar sistemin e drejtësisë ka pas disa sfida që e kanë përcjellë në vazhdimësi, mirëpo ruajtja e pavarësisë , paanshmërisë dhe rritja e efikasitetit të punës së tyre, kanë qen prioritet i tyre.
“Mosaprovimi i kërkesave tona buxhetore për plotësimin e nevojave institucionale, veçmas për rritjen e numrit të prokurorëve, ka kufizuar punën e prokurorit të shtetit por edhe gjyqtarëve e me këtë edhe një drejtësi efikase, edhe pse qytetarët me të drejt presin rastet e tyre të zgjedhën, të trajtohen me kohë dhe afate të përcaktuara ligjore, andaj edhe në këtë konferencë e përsëris që është koha e fundit që institucionet kompetente të Republikës së Kosovës, të mendojnë shumë seriozisht për krijimin e kushteve për punë më efikase në prokurori dhe gjykata, sepse drejtësia e vonuar nuk është drejtësi, përkundrazi një drejtësi e vonuar vetëm sa paraqet shkaqe dhe arsye për zhgënjim dhe rritje të kriminalitetit dhe dëmtim të rëndë të drejtave të njeriut… Pasojat e numrit të vogël të prokurorëve po i vuajnë vet qytetarët e Kosovës dhe gjyqtarët të cilët me të drejt i caktojnë seancat, mirëpo për shkak të mungesës së arsyeshme të prokurorëve, nuk mund t’i mbajnë ato seanca….prandaj ata që nuk ndajnë buxhet për rritjen e mjaftueshëm të prokurorëve në raport me numrin e çështjeve penale, mbajnë përgjegjësi edhe për mungesën e drejtësisë sipas standardeve ndërkombëtare “, tha Kelmendi, duke shtuar se mungesa e prokurorëve në raport me lëndët e grumbulluara që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe numri i madh i rasteve që vinë, janë sfida për prokurorin.
“Lidhur me krimet e luftës . Edhe pse në kohen e UNMIK-ut dhe EULEX-it, pritjet ishin shumë të mëdha për qytetarët e Kosovës, këto rezultate nuk ishin shumë të kënaqshëm, mirëpo pas kalimit të kompetencave në prokurorinë speciale të Republikës së Kosovës, tashmë janë bërë hapa konkret dhe shumë pozitiv. Në vitin 2024, janë zgjidhur 27 raste apo në përqindje 90.91 përqind. Gjatë vitit 2024, prokurori ka trajtuar me prioritet rastet e terrorizmit, ku janë zgjedhur 45 raste me 92 persona. Ndërsa, në nëntë mujorin e këtij viti edhe tri raste me 15 persona. Dua t’i bëj thirrje publike të gjitha institucioneve ligj zbatuese në Republikën e Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi të lartë dhe përkushtim maksimal në trajtimin e çdo informacioni që mund të kontribuoj në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit si një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare. Asnjëherë nuk duhet neglizhuar faktin se grupet radikale dhe ekstremiste mund të jetë burim i drejtpërdrejt i terrorizmit”, tha ai.
Ai tha se vitin 2024, prokurorët kanë pranuar 50. 681 kallëzime penale dhe janë zgjidhur 90% të rasteve. Ndërsa, gjatë këtyre nëntë muajve, prokurorët kanë zgjidhur 92.52 përqind të rasteve.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj ka deklaruar se janë angazhuar në reformën e sistemit të drejtësisë, rekrutimin e stafit dhe përmirësimin e infrastrukturës. Ai tha se një nga sfidat më të mëdha që po përballet sistemi i drejtësisë është edhe përzgjedhja e kryeprokurorit të shtetit. Hajdari rikujtoi se procesi i përzgjedhjes së Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit, ka ndodhur në pajtim me të gjitha dispozitat ligjore dhe deri më tani asnjë organ gjyqësor nuk ka gjetur shkelje.
“Këshilli pas pranimit të njoftimit se nuk do të lëshohet dekret për kandidatin e propozuar nga presidentja, ka proceduar me propozimin e kandidatit për herë të dytë, gjithmonë duke respektuar procedurat ligjore, megjithatë, ende nuk është marrë asnjë vendim nga ana e presidentes duke lënë procesin në një gjendje pa epilog përfundimtar. Kjo vonesë ka krijuar një pasiguri institucionale që ka ndikim të drejtpërdrejt në funksionimin e sistemit prokurorial“, tha Hajdaraj.
Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Fejzullah Rexhepi tha se është e qartë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial përballet me shumë sfida, por përkundër sfidave profesionalizmi ka dhënë frytet e veta.
Shefi i Sektorit për Sundimin e Ligjit dhe të Drejtat e Njeriut – Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Jarmo Helppikangas tha se duhet të kthehet profesionalizmi te qytetarët dhe klientët.
“Duhet të siguroheni që lufta kundër krimit të organizuar është diçka e vërtet, reale e cila shpërfaqet në aktgjykimet tua dhe gjatë gjithë procedurës penale, jo vetëm fjalë por edhe veprime të vërteta. Drejtësia duhet të bëhet konkrete dhe të ketë ndikim në jetën e njerëzve. Kjo është një prej gjërave kryesore që t’i shërbejmë popullit dhe shoqërisë, se krimi nuk paguhet por ka pasoja….secilin sukses dhe procedurë që e bëni si duhet është mirë për popullin e Kosovës por edhe për rrugëtimin e Kosovës për në BE, për të arritur të gjitha ato pikat kontrolluese që i kemi, do të thotë edhe në procedurat e stabilizim asocimit ”, tha ai.
Të pranishmit i ka përshëndetur edhe shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (Eulex), Giovanni Pietro Barbano.