Futbolli i vajzave në Kosovë në kufi të mbijetesës

Futbolli i femrave në Kosovë ka bërë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit, por pavarësisht kësaj vazhdon të përballet me sfida serioze financiare dhe infrastrukturore.

Përkushtimi i klubeve dhe individëve që besojnë në zhvillimin e këtij sporti, po e mban gjallë shpresën për një të ardhme më të mirë.

Nga klubet që ofrojnë paga të rregullta e deri tek ato që luftojnë për mbijetesë, zërat e drejtuesve tregojnë realitetin e vështirë të futbollit të vajzave në vend.

Kryetari i KFF Mitrovica, Hajrullah Haxhiu, thotë se klubi që ai menaxhon është ndër të paktët që ndan paga të rregullta për 12 muaj.

“Unë kur kam hyrë në futboll te vajzat atëherë nuk ka pasur pagesa edhe sot në shumë klube nuk ka, çdoherë kemi qenë dy apo tri klube që i paguajmë vajzat me paga të rregullta. Nuk dua të flas për klube të tjera, flas për klubin që e menaxhoj unë. Tash e gjashtë vjet, vajzat e klubit ‘Mitrovica’ te senioret paguhen me paga të rregullta 12-mujore, jo tetë apo dhjetë, por paguhen 12 muaj. Janë paga që për te futbolli i femrave janë më të mirat në Kosovë dhe pjesa më e madhe e këtyre vajzave janë edhe studente dhe me pagën që marrin kanë mundësi t’i kryejnë studimet duke mos u shndërruar barrë e familjes. Nuk janë sa të larta, por (pagat) sillen prej 400 deri në 600 euro që te futbolli i femrave është mjaft i mirë”, tha Haxhiu.

Ai thekson gjithashtu se pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve është jetike për mbijetesën financiare të klubit.

Trajneri i KFF Malisheva, Valmir Krasniqi, kujton se klubi i tij është përballur me probleme serioze financiare që çuan edhe në ndërprerjen e garave.

“Sa i përket leverdisë, te futbolli i meshkujve ka avancuar shumë, sepse janë investime më të mëdha edhe donatorët dhe sponsorët shumë më lehtë shkojnë që ta sponsorizojnë një klub të meshkujve se sa një të vajzave. Ne i kemi disa sponsorë që ma ndihmojnë, por ato mjete nuk janë të mjaftueshme që t’i përballojmë shpenzimet mujore dhe vjetore. Viti afërisht me shpenzime sillet rreth 200 mijë euro dhe po të mos merrnim pjesë në Ligën e Kampionëve që të arkëtojmë nga UEFA dhe nga sponsorët, sigurisht se do të kishim telashe”, bëri të ditur Haxhiu.

“Për ta mbajtur një klub të futbollit të femrave është shumë e vështirë, sepse përkrahja financiare dhe infrastruktura janë ty barrierat kryesore me të cila ne kemi vështirësi pothuajse gjatë gjithë kohës. Te përkrahja financiare te klubi i Malishevës ne kemi pasur një të garave apo një shuarje për shkak të këtyre dy arsyeve. Në vitin 2009 kur është themeluar ‘Malisheva’ i ka pushuar garat pas një viti, për shkak se nuk ka pasur mbështetje financiare dhe nuk e ka pasur infrastrukturën e duhur për stërvitje dhe lojë. Pastaj, me vullnetin dhe dëshirën e një grupi sportdashës, pjesë e të cilit jam edhe unë, e kemi aktivizuar ‘Malishevën’ dhe sot ‘Malisheva’, me të gjitha vështirësitë që i kemi funksionon, por barrierat financiare dhe infrastrukturore janë dukshëm ende të rënda”, thotë Krasniqi.

Drejtoresha sportive e KFF Gramshi, Edonisa Aliu, e cila ka përvojë të madhe në futbollin e vajzave në Kosovë, e sheh potencialin e madh të vajzave kosovare në futboll, por shpreh shqetësimin për mungesën e përkrahjes institucionale.

“Unë mendoj se Kosova në mesin e vendeve të rajonit, Shqipërisë, Turqisë, Greqisë dhe Maqedonisë, ka talentet më të mëdha, por ato hasin në vështirësi në anën financiare dhe kushtet që përballen. Ana financiare dhe kushtet duhet të përmirësohen shumë, pasi unë kam qenë në futbollin e vajzave në Kosovë dhe e di se si janë kushtet dhe trajtimin që e bëjnë ata. Kohëve të fundit është përmirësuar, janë rreth katër ekipe të cilat investojnë dhe kontribuojnë dukshëm në futbollin e femrave, por anën financiare nuk e shoh shumë të zhvilluar dhe duhet patjetër që ekipi dhe shteti i Kosovës ta ndihmojë futbollin e vajzave, sepse dukshëm ka talente shumë të mëdha dhe është gjynah nëse ato nuk përkrahen dhe nuk trajtohen siç e meritojnë”, theksoi Aliu.

Aliu shtoi se ashtu sikur në të gjitha sferat e tjera të jetë, edhe në fushën e sportit duhet të ketë barazi gjinore andaj edhe pagat e futbollisteve duhet të rriten në mënyrë që ky sport i vajzave të zhvillohet me hovin e njëjtë sikur futbolli i meshkujve.

Back to top button