S’ka zgjedhje në Tiranë, reagon Florjan Binaj: Rrugëtimi ynë vazhdon, do kandidoj përsëri

Aktori Florjan Binaj ishte një nga kandidatët për kryetar bashkie në Tiranë, nëse do të mbaheshin zgjedhje të parakohshme.

Por, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila “rrëzoi” qeverinë, duke lënë në detyrën e kryebashkiakut Erion Veliajn, Tirana nuk do të ketë zgjedhje.

Lidhur me këtë, ka reaguar Binaj, i cili ka shprehur vendosmërinë për të kandiduar sërish, kurdo që do të mbahen zgjedhjet.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai shkruan se kjo nuk është garë për pushte, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.

“Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim.

Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.

Kjo nuk është garë për pushte, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.

Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon.

Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë.”, shkruan Binaj

Back to top button