Rasti në veri, Sveçla i bën thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë dhe ta ndëshkojë Serbinë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një shtetas të Kosovës me inicialet M.V.

Sveçla i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë dhe ta ndëshkojë Serbinë, duke thënë se po cënon hapur integritetin territorial të Kosovës.

“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë. Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se të shtunën e 1 nëntorit ka pranuar informacione për rrëmbimin dhe plagosjen nga xhandarmëria serbe e një qytetari serb të Kosovës në zonën e Leposaviqit.

Sipas hetimeve fillestare, policia thotë se persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë nga Serbia, e kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën, duke e dërguar më pas në Nish.

Zona ku rasti ka ndodhur njihet edhe si “pika zero”, ku përgjegjëse është KFOR-i.

Një serb dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në veri

Back to top button