I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë kishte aktakuzë për dhunë në familje e kanosje

Dy vëllezër janë vrarë sot në fshatin Golluboc të Malishevës. I dyshuar për rastin është A.I nga Sankoci i Drenasit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në një përgjigje për portalin rtv21.tv, ka thënë se ndaj të dyshuarit më 6 prill të këtij viti është paraqitur kërkesë për caktim të paraburgimit dhe i është caktuar.
Ndaj të dyshuarit më 7 prill i është ngritur aktakuzë për “Dhunë në familje” dhe “Kanosje”.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se prokurori i shtetit ndaj personit të dyshuar A.I., me datë 06.04.2025, është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, e cila po të njëjtit iu është caktuar nga gjykata kompetente. Po ashtu me datë 07.04.2025, Prokuroria Themelore në Prishtine, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.I., për veprat penale “Dhunë në familje” sipas nenit 248 te Kodit Penal te Republikës së Kosovës, dhe “Kanosje” në bazë të nenit 181 të KPRK-së”, ka thënë zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala për portalin rtv21.tv /21Media