Balotazhi, ​KQZ: Deri në fund të javës së ardhshme vijnë votat me postë

(Lajm i përditësuar)

 

Balotazhi, ​KQZ: Deri në fund të javës së ardhshme vijnë votat me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar rezultatet preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve në 18 komuna të Kosovës.

Në konferencë për media, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi ka njoftuar për rezultatet e secilës komunë veç e veç.

“Në Gjakovë, Ardian Gjini ka marrë 56,03 për qind – 17 mijë e 24 vota. Ardian Gola, 43,97 për qind. Në Gjilan, Alban Hyseni 61.06 për qind, Arbër Ismajli 38.94 për qind. Në Dragash, Bexhet Xheladini 58.45 për qind, Shaban Shabani 41.55 për qind. Në Kaçanik, Sabedin Vishi 51.86 për qind, Jeton Raka 48.14 për qind. Në Klinë, Zenun Elezaj 58.02 për qind, Sokol Bashota 41.98 për qind. Në Fushë Kosovë, Valon Prebrezaj 54.99 për qind, Besnik Osmani 45.01 për qind. Në Mitrovicën e Jugut, Faton Peci 53.53 për qind, Arian Tahiri 46.47 për qind. Një informacion lidhur me Mitrovicën e Jugut, nuk janë futur ende dy vendvotime të cilat do të azhurnohen më vonë në platformë. Në Obiliq, Halil Thaçi 51.09 për qind, Xhafer Gashi 48.91 për qind. Në Rahovec, Smajl Latifi 53 për qind, Ali Dula 47 për qind. Në Pejë, Gazmend Muhaxheri 61. 15 për qind, Taulant Kelmendi 38.85 për qind. Në Prishtinë, Përparim Rama 51.54 për qind, Hajrulla Çeku 48.46 për qind. Në Prizren, Shaqir Totaj 53.86 për qind, Artan Abrashi 46. 14 për qind. Në Suharekë, Bali Muharremaj 55.60 për qind, Ardian Shala 44.40 për qind. Në Viti, Sokol Haliti, 50.60 për qind, Arsim Ademi 49.40 për qind. Në Vushtrri, Ferit Adrizi 54.27 për qind, Sylejman Meholli 45.73 për qind. Në Junik, Ruzhdi Shehu me 55.92 për qind, Agron Kuçi me 44. 08 për qind. Në Mamushë, Abdulhadi Krasniç me 53.58 për qind, Fikret Morina 46.42 për qind. Dhe në Kllokot, Bozhidar Dejanoviq me 90. 03 për qind dhe Sreqko Spasiq 9.97 për qind”, ka njoftuar ai.

Ai tha se presin që deri në fund të javës së ardhshme do të pranojnë votat e mbledhura nga ato me postë.

Ai tha se rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numërohen votat e diasporës, me kusht dhe ato të personave me aftësi të kufizuara.

 


Rama shpall fitoren në Prishtinë, fton Hajrulla Çekun për “reflektim, jo bllokim”

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka shpallur fitoren për një mandat të dytë në krye të kryeqytetit.

“Dua në të njëjtën kohë ta përgëzoj kundërshtarin tim politik, Hajrulla Çekun, dhe e ftoj të reflektoj për bashkëpunim, e jo për bllokim”, ka deklaruar Rama pas shpalljes së rezultateve.


Abdixhiku: Mesazhi ishte i qartë, LDK ka fituar me ndershmëri dhe përkushtim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja, duke e cilësuar fitoren e LDK-së si një fitore të ndershme dhe të merituar.

Ai theksoi se qytetarët kanë dërguar një mesazh të qartë për ndryshim dhe përgjegjësi.

“Kosova sot kërkon më mirë. LDK, shtëpia e madhe e qytetarisë, ka fituar me ndershmëri, përkushtim dhe me njerëzit më të mirë që ka ky vend,” tha Abdixhiku.


Krasniqi: Totaj do të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve, pa dallim

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka uruar Shaqir Totajn dhe qytetarët e Prizrenit për fitoren.

Ai falënderoi edhe partnerët e koalicionit.

“Urime të gjithëve fitorja e Shaqir Totajt, e PDK-së dhe e partnerëve të koalicionit. Faleminderit Prizren që i thatë po Shaqir Totajt dhe vizionit për një Prizren më të mirë. Kjo është fitore e juaja në këtë natë me shi, ky është bereqet për Prizrenit. Kjo fitore tregoi se bashkëpunimi përtej logove e ndasive është ai që mbështesin qytetarët, prandaj i falënderoj edhe partnerët e koalicionit që i besuan Totajt. Dua të ju them se prej sonte, siç ka qenë në 4 vitet e fundit, Totaj do të jetë përsëri kryetar i të gjithë qytetarëve pa dallim, edhe i atyre që këtë radhë kanë votuar ndryshe”, deklaroi Krasniqi.

“Shaqë urime, na ke bërë krenarë”, përfundoi Krasniqi.


Haradinaj: Aleanca i ka fituar të gjitha komunat që ka qeverisë me to

Pas rezultateve të para, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj uron fitoren në komunat ku partia e tij ka dalë fituese.

Haradinaj në një prononcim për media numëroi komunat ku AAK-ja po fiton duke thënë se po i bashkohet festës.

“Aleanca i ka fituar të gjitha komunat që ka qeverisë me to, është rezultat i mirë”, tha ai.


KQZ nis me publikimin e rezultateve preliminare

Në web-faqen e KQZ-së kanë nisur që të publikohen rezultatet e para preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u zhvillua në 18 komuna.

Sipas të dhënave, dalja në zgjedhje ishte 32 për qind, më e ulët se rundin e parë kur votuan 40.10 për qind e votuesve.

Rezultatet mund t’i shihni duke klikuar KËTU

 

 


Muhaxhiri: Ku humb VV, humb Albin Kurti, në Mitrovicë veç gjumin sa s’e ka bërë

Analisti politik Arton Muhaxheri, në “Click” të RTV21, ka komentuar procesin e sotëm zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se përgjegjësia për humbjet e Lëvizjes Vetëvendosje bie drejtpërdrejt mbi kryeministrin Albin Kurti.

Sipas tij, Kurti ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në çdo garë, prandaj çdo dështim elektoral të VV-së është reflektim i udhëheqjes së tij.

“Ku do që ka humbur VV, ka humbur Albin Kurti, sepse ka pasur dorë gjithkund — në Mitrovicë veç gjumin sa s’e ka bërë,” u shpreh Muhaxheri.

 

 

 


Në 18 komunat ku ka pasur balotazh në orën 19:00 ka përfunduar periudha e votimit.

Sipas KQZ-së, procesi ka kaluar kryesisht i qetë dhe pa incidente të mëdha, ndërsa gjatë ditës janë raportuar vetëm disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave të votimit në disa zona e fotografim të fletëvotimeve.

Rezultatet e para preliminare pritet të publikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë minutave në vazhdim.

Back to top button