Ademi: Ëndrra e përbashkët është të shohim të dy krenat e shqiponjës në Botërorin 2026

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar Kombëtaren e Shqipërisë për kualifikimin në fazën “play-off” të Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar këtë sukses si një arritje të madhe për gjithë kombin shqiptar.
Në reagimin e tij, Ademi theksoi se kuqezinjtë kanë treguar vlera, karakter dhe forcë, duke siguruar një vend mes 16 skuadrave që do të luftojnë për katër biletat shtesë të Botërorit që verën e ardhshme mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kreu i FFK-së po ashtu u ndal te rruga e Kosovës, duke theksuar se sot kombëtarja udhëton drejt Lubjanës, ku pritet të zhvillojë njërën nga ndeshjet më të rëndësishme të kualifikimeve. Sipas tij, optimizmi, uniteti dhe mbështetja janë më të mëdha se kurrë, ndërsa energjia e tifozëve “Dardanët” dhe e mijëra bashkatdhetarëve në Slloveni po e shtyjnë përpara ekipin drejt një suksesi historik.
Ademi kujtoi se nëntori ka qenë gjithmonë muaj i ngjarjeve të mëdha për kombin shqiptar, duke shprehur bindjen se ky muaj mund të sjellë një tjetër moment të paharrueshëm: kalimin e Kosovës në fazën “play-off” dhe, pse jo, edhe hapjen e rrugës drejt ëndrrës së madhe, kualifikimit në Botërorin 2026.
“Ëndrra jonë e përbashkët është të shohim të dy krenat e shqiponjës në Botërorin 2026,” tha Presidenti i FFK-së, duke e cilësuar një zhvillim të tillë si një mrekulli historike për popullin shqiptar.