KQZ-ja i përgjigjet PZAP-së lidhur me ankesën e PDK-së për votat në Mitrovicë

Në kohën kur ka mbetur pothuajse edhe një ditë kohë për marrjen e vendimit ndaj ankesës së PDK-së për fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha se ende është në shqyrtim të ankesës.
Para marrjes së këtij vendimi PZAP-ja ka kërkuar një përgjigje nga KQZ-ja lidhur me ankesën e PDK-së për fletëvotimet në Mitrovicë të Jugut për të cilat kjo parti ka hedhur dyshime për manipulim të tyre.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha për RTV21 se këtë përgjigje tashmë ia ka përcjellë PZAP-së pas vlerësimit të fletëvotimeve nga komisioni i themeluar nga KQZ-ja.
“Gjatë ditës së sotme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është përgjigjur zytarisht Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesën e parashtruar në këtë institucion për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Jugut. Kjo përgjigje është pjesë e raportit të përgjithshëm që do të përgatitet më vonë dhe ku do të përfshihen edhe komuna të tjera sipas mostrës së caktuar”, tha zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi.
Përveç Mitrovicës Komisioni i themeluar nga KQZ-ja i cili nisi punën një ditë më parë bëri edhe vlerësimin e fletëvotimeve në Gjakovë ku po ashtu u hasën fletëvotime me parregullsi./RTV21/21Media