Stubb: S’pritet të ketë armëpushim së shpejti në Ukrainë

Armëpushimi në Ukrainë është i pamundur para pranverës dhe aleatët evropianë duhet të vazhdojnë mbështetjen pavarësisht një skandali korrupsioni që ka përfshirë Kievin, ka thënë për Associated Press presidenti i Finlandës, Alexander Stubb.
Ndërkohë, Evropa do të ketë nevojë për “sisu”, një fjalë finlandeze që do të thotë qëndresë, elasticitet dhe vendosmëri, për të kaluar muajt e dimrit, tha ai, ndërsa Rusia vazhdon sulmet e saj hibride dhe luftën e informacionit në të gjithë kontinentin.
Stubb ka thënë se ai ka nevojë për këtë cilësi si një nga bashkëbiseduesit kryesorë evropianë midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Si udhëheqës i njërit prej vendeve më të vogla të Evropës, por që ndan një kufi prej 1,340 kilometrash (830 milje) me Rusinë , ai është shumë i vetëdijshëm për atë që është në lojë.
Në vitet 1940, pas dy luftërave me Rusinë, Finlanda humbi rreth 10% të territorit të saj ndaj Moskës dhe pranoi të bëhej ushtarakisht neutrale. Por humbjet e Finlandës ishin shumë më të vogla nga sa mund të kishin qenë, pasi trupat finlandeze shfaqën “sisu” dhe i shkaktuan humbje të mëdha ushtrisë sovjetike, pavarësisht se ishin shumë më të pakta në numër.
Qëndrimi neutral i Finlandës ndryshoi vetëm pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, kur finlandezët iu bashkuan NATO-s.
Stubb shfrytëzon marrëdhënien e tij të mirë me Trump – të dy burrat kanë luajtur golf së bashku dhe flasin rregullisht – për të argumentuar çështjen në favor të Ukrainës.