Rama: Nga e hëna ndërpritet transporti publik në kryeqytet – buxheti u bllokua për inate politike

(Lajm i përditësuar)
Trafiku Urban: Qarkullimi i autobusëve do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, më herët ka njoftuar se nga nesër, trafiku publik nga Trafiku Urban do të ndërprehet për shkak të buxhetit të cilën nuk ia ka dhënë qeveria në detyrë, kryqytetit.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar Trafiku Urban, duke thënë se do të ndërpritet qarkullimi i të gjitha linjave të trafikut urban.
Kurse për rifillimin e transporti është thënë se do të bëhet menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave.
“Trafiku Urban” ka thënë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar, por sipas tyre, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj Trafikut Urban, kanë ndikuar në krijimin e kësaj situate të paqëndrueshme.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar qytetarë, Gjatë ditëve të fundit jeni njoftuar për vështirësitë financiare me të cilat po përballet ndërmarrja. Si pasojë e këtyre vështirësive dhe mungesës së karburanteve, përkundër vullnetit tonë, jemi të detyruar të ndërpresim qarkullimin e të gjitha linjave të Trafikut Urban, duke filluar nga e hëna, 24.11.2025.
Shprehim keqardhjen tonë të sinqertë për pasojat që kjo ndërprerje do t’ju shkaktojë. Qarkullimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat i mundësojnë Komunës së Prishtinës të shlyejë obligimet e saj financiare ndaj ndërmarrjes.
Dëshirojmë të sqarojmë se ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme.
Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve./21Media
Nga e hëna ndërpritet transporti publik në kryeqytet
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.
“Të nderuar qytetarë, sapo kam përfunduar tashmë një takim me përfaqësues të Transportit Urban dhe të transportuesëve të sektorit privat, të cilët më njoftuan se për fat të keq nga nesër transporti publik në kryeqytet do të ndalet. Paralajmërimet e njëjta kemi marrë edhe nga ndërmarrjet të tjera të cilat me muajsh nuk kanë marrë pagesa, duke cenuar kështu shërbimet esenciale të qytetarëve të kryqytetit”, tha Rama.
Në konferencën për media, Rama u shpreh se paralajmërime të njëjta ka marrë edhe nga ndërmarrjet tjera.
“Nuk kam besuar kurrë që qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik nga interesa zgjedhore”, ka thënë ai./21Media
Rama: Buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për buxhetin e kryeqytetit tha se është bllokuar nga qeveria në detyrë për çështje politike.
Ai përmendi edhe alokimin që komuna e Prishtinës ka bërë për këtë çështje.
Prej mbi një vit në mënyrë të vazhdueshme dhe plotësisht në përputhje me procedurat ligjore kemi kërkuar alokimin e buxhetit që i takon kryqytetit.Asnjë kërkesë nuk është trajtuar, buxheti i Prishtinës është blloku për çështje krejtësisht politike”, tha Rama në konferencën për media./21Media