Kryesuesi i KPK-së: Deklarimi i anëtarit të Këshillit se ndihen të rrezikuar, përbën hije të keqe e thirrje për dezinformim të publikut

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, në konferencë për medie të enjten, tha se deklarimi i anëtarit të Këshillit, Visar Krasniqi se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI, përbën hije të keqe e thirrje për dezinformim të publikut.

Sipas tij, prononcimi publik i Kelmendit lidhur me procesin e zgjedhjes së një anëtari të KPK-së, ishte qasje e njëanshme dhe e orientuar me qëllim të ndikimit të anëtarët aktualë të Këshillit. Tha se shqyrtimi i Raportit zgjedhor ishte në proces dhe i caktuar si pikë e rendit të ditës, fillimisht më 13 nëntor (që ishte aprovuar) e më pas me kërkesë të prokurorit Arian Gashi ishte shtyrë për 20 nëntor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai thotë se një ditë para këtij takimi, Kelmendi mbajti konferencë për medie ku fjalimin e tij e filloi dhe përfundoi me cilësime për këtë proces zgjedhor, ndonëse ishte thirrur për diçka tjetër.

Sipas Hajdarajt, në mbledhjen e 20 nëntorit, Besim Kelmendi shprehu qëndrim të hapur kundër funksionimit të mëtejshëm të Këshillit, dhe që ai bashkë me katër anëtarë të tjerë u larguan nga takimi me konkludime paragjykuese për vendimmarrje për procesin zgjedhor, duke pamundësuar certifikimin e kandidatit.

Kryesuesi i KPK-së thotë se largimi nga takimi dhe më pas deklarimi i katër anëtarëve dhe Besim Kelmendi nuk do ta lëshojë zyrën e tij, përbën mosbindje dhe mospërfillje ndaj vendimeve të ligjshme të Këshillit.

“Referuar deklarimit të anëtarit të Këshillit në atë konferencë të mbajtur në objektin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI dhe organet tjera të sigurisë, kjo përbën hije të keqe dhe thirrje për ta dezinformuar publikun”, tha Hajdaraj.

Ai shtoi se askush nuk është kërcënuar, shantazhuar apo tentuar të ndikohet nga ndonjë formë e ndikimit të paligjshëm. Tha se mendimet dhe vendimet për çështje të caktuara nga fushëveprimi i Këshillit, përbëjnë mendim ndryshe për të cilin anëtarët e Këshillit gëzojnë imunitet funksional.

Sipas tij, dallimet që mund t’i kenë në çështje të caktuara, duhet të tejkalohen me gjuhën e afrimit e koordinim. Tha se s’ka e s’do të ketë vend për përçarje në KPK.

Back to top button