Hamza takon zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit: SHBA, mbështetje jetike për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot në Washington një takim me zyrtarë të lartë amerikanë, në kuadër të ruajtjes dhe thellimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza ka takuar Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, pranë Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Hamza ka theksuar se për të dhe për PDK-në, interesi shtetëror është mbi çdo gjë, duke vënë theksin në rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e plotë të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
“Kosova është e bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje mbetet jetike në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Hamza.