Vret me armë zjarri qenin, 27-vjeçari vetëdorëzohet në polici

Sot, rreth orës 13:30, policia në Kaçanik ka pranuar një informatë nga një person në Doganaj, i cili kishte raportuar se qeni i tij ishte qëlluar me armë zjarri nga R.S. (27) dhe si pasojë kafsha kishte ngordhur, raporton KosovaPress.

Patrulla policore dhe hetuesit e stacionit të Kaçanikut kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë konfiskuar tri gëzhoja.

I dyshuari R.S. është vetëdorëzuar në stacionin policor, ku ka dorëzuar pistoletën me nëntë fishekë.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij janë iniciuar tri vepra penale: armëmbajtje pa leje, përdorim i armës së zjarrit, dhe keqtrajtim i kafshëve.

Pas intervistimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt hetimore.

Back to top button