Yamal: Messi është më i miri, por unë ndjek rrugën time

Lamine Yamal, një nga zbulimet më të mëdha të Barcelonës në vitet e fundit, ka folur sërish për krahasimet e vazhdueshme me Lionel Messin gjatë një interviste për CBS Sports. 17-vjeçari, që prej shpërthimit të tij në ekipin e parë, është përballur vazhdimisht me pyetje rreth ngjashmërive me legjendën argjentinase, por këtë herë e bëri shumë të qartë se nuk dëshiron të ecë në hije të askujt.
Ai theksoi se krahasimet i sheh me respekt, por jo si diçka që e përcakton karrierën e tij. “Messi është më i miri në histori,” tha Yamal. “E respektoj për atë që ka qenë dhe për atë që përfaqëson për futbollin. Por unë dhe ai e dimë që nuk dua të jem Messi. Dua të ndjek rrugën time, thjesht kaq.”
Në muajt e fundit, rritja e shpejtë e famës së tij ka hapur diskutime edhe për jetën e tij jashtë fushe. I pyetur nëse njerëzit përreth e kontrollojnë për të mos gabuar, ai e pranoi me humor se rrethi i tij është shumë strikt. “Të gjithë thonë ‘jo’. Nëse dua të dal – ‘jo’. Nëse dua të shkoj për të ngrënë jashtë – ‘jo’. Pyetja është: kë dëgjoj? Nënën time,” u shpreh ai me buzëqeshje.
Intervista e Yamalit vjen në një periudhë ku pritshmëritë për të janë më të larta se kurrë, por talenti i ri duket i vendosur të ecë me këmbë në tokë dhe të ndërtojë identitetin e tij, larg hijes së ikonës më të madhe të klubit.