Trajneri i Norvegjisë: E urrej pjesëmarrjen në shortin e FIFA-s

Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, ka pranuar se nuk ka aspak dëshirë të jetë i pranishëm në shortin e Kupës së Botës që do të mbahet të premten në Uashington. Ai tha në një podcast se do të kishte preferuar shumë të ishte në shtëpi, i shtrirë në divan me ushqime të lehta dhe Pepsi Max, duke ndjekur shortin në televizor.
Pavarësisht entuziazmit kombëtar për kualifikimin historik të Norvegjisë, pjesëmarrja në eventet zyrtare të FIFA-s nuk e tërheq fare trajnerin. Solbakken u shpreh se nuk i pëlqen as shkëlqimi, as bisedat e kota dhe as atmosfera glamuroze e këtyre ngjarjeve.
Ai tregoi se zakonisht shortet i ka ndjekur asistenti Brede Hangeland, por këtë herë rregullat e FIFA-s kërkojnë që trajneri kryesor të jetë i pranishëm. Delegacioni norvegjez udhëton për në SHBA gjatë kësaj jave, ndërsa Solbakken thotë se do të qëndrojë atje vetëm aq sa është e domosdoshme, për t’u kthyer sa më shpejt në shtëpi./kp