Hoxhaj: Kurti nuk e ka përballuar presionin

(Lajm i përditësuar)
Hoxhaj: Kurti nuk e ka përballuar presionin
Enver Hoxhaj ka kritikuar kryetarin e VV-së Albin Kurti, duke thënë se ai nuk ka arritur t’i përballojë presionet politike dhe ndërkombëtare.
Hoxhaj theksoi shqetësimin për marrëveshjen e Brukselit, të cilën sipas tij nuk dihet se kush e ka hartuar dhe çfarë implikimesh ka për Kosovën, teksa shtoi se ”nuk dihet kush e ka shkruar edhe tekstin e Asociaiconit”
“Zoti Kurti nuk mundet t’i përballojë presionet, dhe kjo është një gjë e dëshpëruar për një vend ku kryeministri nuk mund të përballet me presionin karshi temave të mdha. Ne kemi përfunduar në një situatë që nuk e dimë se kush e ka shkruar tekstin e marrëveshjes së Brukselit, ne kemi pasur procese poltiike ne këtë vend ku e dimë se kush e ka shkruar Rambujen, kush e ka shkruar Ahtisarin, ku e dimë kush e ka shkruar marrëveshjen e Prillit, kjo është temë që duhet ta trajtojmë seriozisht se si Kurti nuk e ka përballuar presionin dhe ne fund e ka prnaur tekstin e marrëveshjes” tha Hoxhaj, teksa shtoi se ”Kurti pas çdo teksti të pranuar ka hequr dorë”.
Ai e paraqiti këtë situatë si një shembull të qeverisjes jo transparente dhe mungesës së përgjegjësisë së udhëheqjes aktuale.
Hoxhaj: Kurti nuk guxon të qeverisë me PDK-në
Enver Hoxhaj ka theksuar që PDK-ja nuk është një parti që ndërpret papritmas koalicionet, duke i dërguar një mesazh VV-se dhe Albin Kurtit. Ai shtoi se partia e tij ka karakter të qëndrueshëm dhe nuk merr vendime të nxituara, duke nënkuptuar që bashkëpunimi politik me Kurtin do të jetë i përgjegjshëm dhe i qëndrueshëm.
“Duke e ditur se ne jemi një parti që kemi karakter, jemi nje kockë e fortë, Kurti nuk guxon të qeverisë me PDK. Nuk jemi parti që papritmas mund të përfundojë koalicionin në 00:00 të natës,” tha Hoxhaj.
Ai tutje ka shtuar se PDK-ja ”do të dalë partia e parë në zgjedhjet e 28 dhjetorit”.
Hoxhaj: Bashkëpunimi me Nismën varet nga Hamza, Limaj nuk është diskutuar ende
Enver Hoxhaj ka sqaruar se çdo vendim për bashkëpunimin e PDK-së me Nismën për zgjedhjet e ardhshme do të merret nga kryetari i partisë, Bedri Hamza. Hoxhaj theksoi se në takimin e sotëm nuk është diskutuar asnjë temë lidhur me këtë.
“I takon kryetarit të parë, Hamzes, të vendosë se si do të jetë bashkëpunimi me secilin subjekt. Ne sot kemi pasur një takim dhe nuk ka pasur një temë të tillë, dhe si mund të duket Lista ende nuk e dimë, por mund të jetë temë në ditët e tjera. Dje jam takuar me Fatmir Limajn, nuk e kemi diskutuar,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj: VV në pushtet erdhi si anti-Serbi, po përfundon si anti-Shqipëri
Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se partia ka dështuar t’i ofrojë qartësi vendit gjatë mandatit të saj.
Ai u shpreh se qytetarët vendosin në kutitë e votimit nëse duan të sjellin qartësi për të ardhmen e Kosovës në 2026. Hoxhaj gjithashtu kritikoi ndryshimin e qëndrimeve të VV-së, nga një parti “anti-Serbi” në një parti që po përfundon mandatin me qëndrime “anti-Shqipëri”, dhe theksoi se këto janë tema që duhet të jenë pjesë e fushatës së PDK-së.
“VV ka dështuar t’i ofrojë vendit qartësi, prandaj edhe nëse shkojmë te kutitë e votimit, është në duart e qytetarëve nëse dëshirojnë të ofrojnë vendit qartësi. Cila është ideja kryesore e këtij vendi për 2026? Një parti politike që ka ardhur në pushtet duke qenë si ‘anti-Serbi’ dhe po përfundon mandatin si ‘anti-Shqipëri’ – VV-ja. Të gjitha këto janë tema për të cilat ne duhet të kemi një kodrinim tematik,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj: Qasja e Kurtit është si bolshevizmi politik
Në ”Click” të RTV21 Enver Hoxhaj nga PDK-ja ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Albin Kurtit, duke e akuzuar për tentativë për të dobësuar institucionet e pavarura dhe për të imponuar vullnetin politik të njëanshëm.
Ai theksoi se qytetarët nuk duhet të bien pre e përpjekjeve për të krijuar paragjykime apo manipulime politike.
Hoxhaj e krahasoi qasjen e Kurtit me praktikat bolshevike, duke shtuar se partia e tij do të vazhdojë të tregojë realitetin qytetarëve.
“Ne nuk duam të bimë pre e një përpjekjeje për të krijuar një paragjykim se ne si PDK e duam këtë datë sepse do të ishte më e favorshme. Ne kemi organizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike me mbikëqyrje nga bashkësia ndërkombëtare, dhe shpresojmë që edhe kësaj here të ndodhë e njëjta gjë. Në aspektin politik, është struktura e njëjtë politike që Kurti po tenton ta shkatërrojë: çdo institucion i pavarur për të mos u besuar nga qytetarët asnjë procesi politik. Ajo që ka ndodhur në 2025 me votën në Kuvend ka qenë përpjekje për të imponuar vullnet politik me parametrat e bolshevizmit politik, sepse vetëm partitë bolshevike tentojnë të imponojnë vullnetin pa dialog, pa kompromis, pa marrëveshje dhe pa bashkëpunim ndërpartiak. Ne po bëjmë përpjekje si PDK që ta shpalosim këtë realitet para qytetarëve,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj i reagon Kurtit: PDK udhëhiqet nga Hamza, eja të ballafaqohemi me ide, jo me rrena
Enver Hoxhajnga PDK-ja në ”Click” të RTV21 ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili kishte sugjeruar se PDK udhëhiqet nga figura të tjera jashtë partisë.
Hoxhaj theksoi se qytetarët e dinë se PDK-ja udhëhiqet nga kryetari aktual, Bedri Hamza, dhe se në këto zgjedhje duhet të ballafaqohen me ide dhe jo me rrena. Ai gjithashtu komentoi situatën e ish-udhëheqësve Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke shprehur shpresën se pranvera do të sjellë drejtësi për Kosovën.
“Kryetari i PDK-së është Bedri Hamza dhe nuk është hera e parë që Kurti në fushatë bën deklarata të tilla për ndonjë subjekt politik, se kush merr vendime në PDK dhe çfarë është PDK-ja e dinë qytetarët tanë. Prandaj ne e ftojmë Kurtin që në këto zgjedhje të ballafaqohemi me ide, dhe jo me kësi rrena. Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë në Hagë dhe shpresojmë që pranvera t’i sjellë në Kosovë. Ndërsa në këto 5 vitet e fundit është parë se kryesia e PDK-së dhe forumet e partisë kanë punuar si duhet,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj: Kosova duhet të ndryshojë qasjen ndaj Serbisë dhe të forcojë mbrojtjen
Enver Hoxhaj nga PDK në ”Click” të RTV21 ka theksuar rëndësinë e një qasjeje të re në dialogun me Serbinë, duke theksuar se Kosova nuk mund të vazhdojë formën e njëjtë të negociatave.
Ai paralajmëroi gjithashtu nevojën për të përforcuar kapacitetet e mbrojtjes së vendit, duke shprehur se kjo duhet të jetë pjesë e diskutimeve kryesore gjatë fushatës zgjedhore.
Hoxhaj shtoi se detajet e planit të PDK-së do të shpalosen nga Bedri Hamza.
“Përtej zgjedhjeve, unë nuk jam i mendimit që të vazhdojmë formën e njëjtë të dialogut me Serbinë. Kosova duhet ta ndryshojë qasjen. Evropa është duke u armatosur, Evropa është duke forcuar mbrojtjen dhe neve na duhet të krijojmë një kapacitet tonin. Ta rimendojmë mbrojtjen e Kosovës. Të gjitha këto janë tema që ne do të duhet t’i shtrojmë në një fushatë zgjedhore. Unë besoj se të gjitha do të shpalosen nga Bedri Hamza,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj: VV pati 6 vite për ta ndaluar Listën Serbe, loja politike është e papranueshme
Enver Hoxhaj nga PDK-ja në ”Click” të RTV21 ka reaguar ashpër ndaj deklarimeve të Vetëvendosjes lidhur me Listën Serbe dhe vendimet e KQZ-së, duke e akuzuar VV-në për manipulim të opinionit publik dhe për krijimin e një diskursi të rrezikshëm politik.
Ai theksoi se Qeveria Kurti ka pasur gjashtë vite në dorë për të vepruar ndaj Listës Serbe, nëse me të vërtetë e konsideron atë organizatë terroriste, dhe se taktikat aktuale po dëmtojnë sistemin demokratik. Sipas tij, vendosja e qytetarëve dhe partive politike në kategori “patriotësh” dhe “tradhtarësh” është e papranueshme.
“Nëse VV mendon se Lista Serbe është një organizatë terroriste dhe është në udhëheqje të qeverisë, atëherë unë kam qenë në udhëheqje të qeverisë dhe ka mundur që në këto gjashtë vite të qeverisjes ta ndalojë punën e Listës Serbe. Nëse ata mendojnë se KQZ-ja është një sistem i padrejtë dhe se sistemi ynë kushtetues është shumë i padrejtë, mund të heqin dorë nga zgjedhjet. Por kjo lojë taktike për të manipuluar opinionin politik, sikur që e kemi parë edhe në Kuvendin e Kosovës, për mua dhe për PDK-në është e papranueshme dhe prandaj kolegët kanë zgjedhur formën e abstenimit. Ndarja e vendit në ‘tradhtarë’ dhe ‘patriotë’, në ata që punojnë kundër shtetit të Kosovës dhe në ata që punojnë për Kosovën, është absurde.”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj: Kriza që solli Kurti e bën votën e 28 dhjetorit jetike për Kosovën
Hoxhaj fajëson Kurtin: Politika e jashtme dramatike, vitin e ardhshëm na pret drama serioze
Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se qytetarët duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë historike të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke ”akuzuar” kryetarin e VV-së Albin Kurti se ka krijuar me qëllim një situatë politike të tillë.
Sipas tij, Kosova po përballet me vështirësi të mëdha ekonomike dhe me një krizë të thellë në politikën e jashtme, të cilën e cilësoi si “dramatike”. Hoxhaj paralajmëroi se viti i ardhshëm do të jetë sfidues për shtetin, ndaj vendimi i qytetarëve më 28 dhjetor merr peshë historike.
“Qytetarët duhet ta dinë se më 28 dhjetor ne shkojmë në zgjedhje. Duhet ta dinë, sepse Albin Kurti ka dashur të krijojë një situatë të tillë politike. Përtej kësaj, situata ekonomike brenda Kosovës është e vështirë, ndërsa situata në politikën e jashtme është dramatike, pasi vitin e ardhshëm do ta përjetojmë dramën më serioze. Prandaj, ajo që zgjedhin qytetarët është historike.”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj për VV-në, ”Ne nuk lodhemi fare se çfarë thotë opozita e ardhshme në Kosovë”
Enver Hoxhaj nga PDK-ja në ”Click” të RTV21 deklaroi se vendimi i sotëm i KQZ-së për Listen Serbe është dëshmi e një manipulimi të madh politik.
Ai theksoi se, nëse Lëvizja Vetëvendosje ka probleme me Listën Serbe, ato nuk duhet të reflektohen në proceset institucionale.
Hoxhaj nënvizoi se PDK-ja mbetet një parti me baza të forta historike, me rol të rëndësishëm në pavarësinë e vendit, duke shtuar se “nuk lodhemi fare se çfarë thotë opozita e ardhshme në Kosovë”, duke iu referuar Vetëvendosjes.
Hoxhaj: Zgjedhjet e 28 Dhjetorit më të rëndësishme në historinë e Kosovës
Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës në ”Click” të RTV21 e cilësoi se zgjedhjet e 28 dhjetorit janë zgjedhjet më të rëndësishme që ka përjetuar ndonjëherë vendi.
Me bindjen se vendi ndodhet para një momenti kritik politik dhe shoqëror, ai u shpreh se beson fuqishëm në ndryshim dhe në nevojën për një drejtim të ri për Kosovën.