VV-ja ankohet në Supreme për qendrat alternative të votimit në diasporë

Lëvizja Vetëvendosje është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas VV-së, për të pamundësuar shkeljen flagrante të ushtrimit të së drejtës së votës, e në qëllim të kthimit të ligjshmërisë, kjo parti ka kërkuar nga Gjykata Supreme të anulojë vendimin e PZAP-së të datës 1 dhjetor dhe të kthejë në fuqi vendimin e KQZ-së të datës 26 nëntor.
“Me datën 26 nëntor 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë Vendimin mbi qendrat e votimit jashtë Kosovës, numrit të vendvotimeve dhe listën e qendrave të votimit (“Vendimi”)”, thuhet në ankesë.
Sipas LVV-së, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, parasheh votimin e shtetasve të Republikës së Kosovës jashtë vendit, konkretisht parasheh disa mënyra votimi për shtetasit e Kosovës jashtë vendit, si vijon: “Votimi jashtë Kosovës organizohet nga KQZ-ja dhe votuesit mund të votojnë duke u përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit, në momentin e regjistrimit përmes platformës së KQZ-së: 3.1. fizikisht, në përfaqësi diplomatike të Republikës së Kosovës apo hapësira të tyre, të cilat shndërrohen në qendra të votimit sipas kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja për adaptimin në qendra të votimit. Kjo mënyrë votimi nuk aplikohet në zgjedhje lokale; 3.2. duke dërguar fletëvotimet përmes kutisë postare të KQZ-së, në postën e Kosovës; 3.3. duke dërguar fletëvotimet përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ-ja përmes dhe me lehtësimin e përfaqësive diplomatike, jashtë Kosovës”, shkruan në ankesë.