​Veteranit të UÇK-së i caktohen 30 ditë paraburgim në Serbi

Shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga autoritetet gjyqësore të Serbisë, nën pretendimet për përfshirje në krime lufte të vitit 1999.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e cila ka theksuar se ky veprim përbën vazhdimësi të ndjekjes politike të qytetarëve të Kosovës nga Serbia, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

“Autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Avni Qenaj, dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson sërish se ky veprim përbën vazhdimësi të praktikave të Serbisë për ndjekje politike ndaj qytetarëve të Kosovës, përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Sipas MPJD-së, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi do të vazhdohet monitorimi i afërt i rastit dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të Avni Qenajt dhe kundërshtimin e këtyre akuzave.

Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e ka vizituar një ditë më parë Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, duke i ofruar mbështetjen e plotë institucionale të Qeverisë së Kosovës.

Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor i është ushtruar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, ndërsa ka shtuar se as aktualisht nuk po i nënshtrohet keqtrajtimeve në paraburgim.

Ai ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, por pret që kjo të ndodhë në ditët në vijim, ndërsa familja ka angazhuar katër avokatë mbrojtës për përfaqësimin e tij ligjor.

Avni Qenaj është arrestuar më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar në Merdarë, gjatë transitit drejt Bosnjë dhe Hercegovinës, ku familja e tij zhvillon biznes. Pas arrestimit, ai është mbajtur 48 orë në Prokuplje dhe më pas është transferuar në Beograd. Më 28 nëntor është paraqitur para gjykatësit të procedurës paraprake, ku është njoftuar për nisjen e procedurës penale dhe caktimin e paraburgimit.

Back to top button