Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj 11 personave për organizimin të bixhozit dhe posedim armësh

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj 10 personave, A.O, G.N, A.SH , H.R, M.K, P.A, E.B, A.J, R.B, F.H., për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe aktakuzë ndaj F.M. për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, raporton KosovaPress.
Sipas aktakuzës, prokurori i shtetit ka përshkruar veprimet inkriminuese për veprat penale të 11 të pandehurve që iu vihen në barrë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se i pandehuri A.O, më 17 gusht 2025, rreth orës 02:00, në lokalin e tij “Te Katamt” në Isniq të Deçanit, ka organizuar veprimtari të skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, të llojit të lojërave të fatit.
Nëntë të pandehurit e tjerë, janë arrestuar nga policia derisa kanë tentuar të ikin nga dhoma ku luanin bixhoz. Policia ka gjetur në tavolinë letra të bixhozit dhe shuma te të konsiderueshme te të hollave, te secili i pandehur në shumën totale prej 17.578 eurosh, të cilat janë sekuestruar. Ndërsa i pandehuri F.M. akuzohet se natën kritike ka poseduar armë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprave penale.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.