Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ certifikon 1.146 kandidatë për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar në mbledhjen e sotme mbi 1 mijë e 146 kandidatë për deputetë nga radhët e 23 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa 33 kandidatët nga Lista Serbe nuk kanë marrë votat e nevojshme për certifikim.
Nga 23 subjektet politike të certifikuara, 17 janë parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur.
Kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe kanë votuar Sami Kurteshi e Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Unë, besoj që edhe kolegu im, jam kundër certifikimit të Listës Serbe bashkë me kandidatët e tyre”, ka thënë anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi.
Me gjashtë abstenime, dy vota kundër, dhe tre vota për është refuzuar certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe.
“Kush është për, tre, kush është kundër, dy, abstenime, gjashtë abstenime. Atëherë refuzohet certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe”, ka thënë kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Anëtari i KQZ-së nga radhët e komunitetit boshnjak Almir Saiti ka lëshuar mbledhjen e KQZ-së në shenjë proteste ndaj vendimit për certifikimin e kandidatëve për deputetë nga radhët e Koalicionit Vakat, për të cilët tha se ka parregullsi për “shkak të kontrabandimit të përfaqësuesve” në listë dhe njëherësh kërkoi që lista me gjithsej 43 kandidatë e Vakat të mos certifikohet.
“Dua që të shpreh shqetësimin e komunitetit boshnjak. Dënoj ashpër tentimin e koalicionit Vakat që të falsifikojë dhe të kontrabandojë listën e boshnjakëve duke bartur në listën e saj njerëz nga komunitetet e tjera, në këtë rast të disa personave nga radhët e komunitetit shqiptar dhe në këtë mënyrë dëshiron që të ndikojë në publikun boshnjak dhe në vullnetin e komunitetit boshnjak dhe me këtë të uzurpojë vendet që u takojnë pjesëtarëve të komunitetit boshnjak… Ju po lejoni që të shkelet e drejta e caktuar për një komunitet dhe në këtë rast po lejoni dhe po silleni sikurse gjyqtar i një ndeshje të futbollit. Kjo është e palejueshme dhe unë apeloj te të gjithë anëtarët e KQZ-së që të mos miratohet kjo listë, sepse kjo listë është e falsifikuar, përndryshe nuk na mbetet asgjë tjetër përveç se ta bojkotojmë”, tha Saiti.
Në këtë mbledhje, KQZ certifikoi vetëm 42 nga 43 kandidatët e subjektit politik Koalicioni Vakat, nga radhët e komunitetit boshnjak, për shkak të pretendimeve se një nga kandidatet nga kjo listë i përket etnisë shqiptare.
Anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi pati edhe një propozim për shtypjen e fletëvotimeve.
“Por unë propozoj që KQZ-ja mundësisht të shtyp fletëvotimet me dizajn që ka në madhësi të madhe, sepse ka njerëz që thonë se nuk shohin mirë dhe ai dizajn i fletëvotimit që të jetë sa gjysma e atij ekrani dhe të ngjitet në çdo vendvotim që njerëzve përveç sqarimet kur i jepet fletëvotimi dhe konsultoje edhe të mos kemi arsyeje së paku të thonë s’po shoh mirë, sepse mendoj që është bërë një veprim i mirë, por KQZ-ja duhet të merr të gjitha masat që vendimet e veta t’i përcjellë edhe me masa ndihmëse”, ka thënë Kurteshi.
KQZ ka certifikuar listën e votuesve, ku numri i shtetasve me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është 2.076.290 votues. Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1.999.205 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77.085 votues. Kjo listë përmban 7.192 votues më shumë se në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2.614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2.557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.