Kurti pengesë për dialogun strategjik Kosovë–SHBA

Gjatë kësaj jave për vizitë në Prishtinë qëndruan zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, të kryesuar nga zëvendësdrejtori i Zyrës për Evropën Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise (Lin Debëvojz). Zyrtarët e DASH-it zhvilluan disa takime, përfshirë në KQZ, Gjykatën Kushtetuese si dhe me këshilltarët e presidentes Osmani, siç u tha, për thellimin e bashkëpunimit. Nga zyra e presidentes thanë se u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta, por nuk dhanë shpjegime se si e shohin rikthimin e dialogut.
“Delegacioni i Presidentes nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke theksuar se rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA mbetet prioritet i rëndësishëm në avancimin e interesave të përbashkëta.”
Por njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, vlerëson se dialogu strategjik, i pezulluar nga SHBA-të në shtator për shkak të veprimeve të pakoordinuara të Qeverisë Kurti, mund të rikthehet pas përfundiikt të procesit zgjedhor.
“Në rrethana aktuale është e pamundshme të rikthehet dialogu strategjik SHBA–Kosovë, për faktin se arsyet për të cilat është ndalur ky dialog nuk kanë ndryshuar. Kemi parë edhe zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në DASH, në Kongresin Amerikan, ku qartazi thuhet se kjo Qeveri është pengesë për zhvillimin e dialogut strategjik.’’, tha ai për rtv21
Jashari pret që pas zgjedhjeve një Qeveri e re pro-Amerikane të fokusohet në rikthimin e marrëdhënieve të mira Kosovë-SHBA.
“E vetmja mënyrë për të rifilluar një dialog strategjik është nëse ndryshon kjo Qeveri. Kjo mund të ndodhë pas zgjedhjeve që do të mbahen më 28 dhjetor. Nëse prodhohet një qeveri stabile, e cila i respekton aleatët.”, theksoi ai.
SHBA-ja kishte planifikuar dialogun strategjik me Kosovën për të forcuar lidhjet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, janë parë si sfidë për përparimin. Ndërkohë, nga Qeveria në detyrë thonë se veprimet e tyre janë të bazuara në ligj./RTV21/21Media