Prezantohej rrejshëm si agjent, arrestohet 34-vjeçari

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Implikimi”, gjatë të cilit u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. G. (34), banues në Tiranë.
A.G. akuzohet se ka mashtruar një shtetase duke u prezantuar si agjent imobiliar, dhe për këtë arsye i kishte dhënë një shumë parash për t’i gjetur një banesë me qira.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin shtetasi A. G. lëvizte në rrugën “Kastriotët”, në momentin e kapjes, u gjet një armë sportive pistoletë që mbahej pa leje, ndërsa nga kontrolli në banesën e këtij shtetasi u gjet një palë targa që nga verifikimet rezultojnë të vjedhura, të cilat u sekuestruan nga policia.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 34-vjeçari ishte aktualisht me masë sigurie arrest në shtëpi, për veprën penale dhuna në familje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.