Rrugët mbulohen nga mjegulla, Policia thirrje urgjente për kujdes maksimal

Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim për qytetarët, duke bërë thirrje për kujdes të shtuar në trafik për shkak të shfaqjes së mjegullës në disa pjesë të vendit, veçanërisht në zonat me pozitë gjeografike më të ulët, ku dukshmëria bie më shpejt.
Sipas Policisë, mjegulla e dendur mund të paraqitet kryesisht pranë lumenjve dhe akseve rrugore të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë, duke e bërë ngasjen më të rrezikshme. Shoferëve u kërkohet të përcjellin me vëmendje ndryshimet e dukshmërisë dhe të shmangin shpejtësinë e lartë.
Në njoftim theksohet rëndësia e përdorimit të dritave të mjegullës, nëse automjeti i posedon ato, pasi ndihmojnë të ndriçohet rruga para dhe e bëjnë veturën më të dukshme për shoferët tjerë. Disa automjete kanë edhe drita të pasme të mjegullës, të cilat rrisin sigurinë për drejtuesit që vijnë nga prapa.
Policia paralajmëron se mjegulla mund të krijojë edhe iluzion optik, duke bërë që shoferët të mendojnë se po lëvizin më ngadalë sesa në të vërtetë. Për këtë arsye, rekomandohet ruajtja e vëmendjes maksimale dhe shmangia e shpejtimit të panevojshëm.