Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari përfundojnë dënimin, Haxhi Shalës i mbeti edhe një vit

Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari kanë përfunduar dënimin më 4 tetor 2025, por Haxhi Shalës i ka mbetur edhe një vit për të përfunduar dënimin e tij pasi u shpall fajtor për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Sipas një përgjigje me shkrim për “Betimi për Drejtësi”, Zyra për Informim e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka njoftuar se Haxhi Shala do të përfundojë dënimin e tij më 11 dhjetor 2026.
“Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari përfunduan vuajtjen e dënimeve të tyre më 4 tetor 2025. Z. Shala do ta përfundojë vuajtjen e dënimit më 11 dhjetor 2026”, thuhet në përgjigjen e DhSK-së.
Ndryshe, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova ka vendosur të refuzojë modifikimin e dënimit ndaj Haxhi Shalës, i cili është dënuar me 3 vjet burgim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, ndonëse ka kaluar 2/3 e dënimit në burg.
Kryetarja e DhSK-së në vendimin e saj ka thënë se sipas raporteve nga administratorja dhe Qendra e Paraburgimit, Shala nuk ka shprehur pendesë apo keqardhje lidhur me ato se çfarë ka bërë dhe për të cilat është dënuar, si dhe nuk ka dhënë ndonjë tregues se nuk do të angazhohej në sjellje të ngjashme.