Aktorja shqiptare thyen kufinjtë, niset për në Berlinale

Një tjetër emër shqiptar po hyn fuqishëm në hartën e kinematografisë evropiane.

Aktorja Fatlume Bunjaku, është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në European Shooting Stars 2026, një nga programet më prestigjioze të filmit në Evropë.

Lajmi është bërë i ditur nga European Film Promotion, institucioni që çdo vit, në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin – Berlinale, shpall aktorët më premtues evropianë që do të marrin pjesë në këtë platformë elitare. Fatlume Bunjaku do të jetë në mesin e dhjetë aktorëve të përzgjedhur nga vende të ndryshme të Evropës, të cilët për katër ditë radhazi do të jenë në fokus të industrisë ndërkombëtare të filmit.

Producentë, regjisorë, agjentë, casting directorë dhe media nga e gjithë bota do t’i ndjekin nga afër përmes intervistave, punëtorive dhe takimeve profesionale.

Aktorja është nominuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, me filmin “Hana”, nën regjinë e Ujkan Hysajt, duke u vlerësuar për potencialin e saj artistik dhe perspektivën ndërkombëtare.

Ky program ka qenë një trampolinë e rëndësishme për karrierën ndërkombëtare të shumë emrave të mëdhenj të kinemasë botërore.

Ndërkohë, nga aktorët shqiptarë, më herët pjesë e këtij programi kanë qenë, Nik Xhelilaj në vitin 2011 dhe Arta Dobroshi në vitin 2013, duke e bërë përzgjedhjen e Fatlume Bunjakut një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë shqiptare.

Back to top button