Fushata filloi, AIP rikujton obligimet për subjektet politike

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) me rastin e fillimit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më 28 dhjetor 2025, ka ripërsëritur kërkesën ndaj partive dhe subjekteve politike për respektim të plotë të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
AIP duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka theksuar se çdo përpunim i të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore duhet të bëhet në përputhje me udhëzimet e Agjencisë që rregullojnë komunikimin me votuesit gjatë procesit zgjedhor.
Sipas një komunikate të AIP, përpunimi i të dhënave personale për qëllime të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike duhet të mbështetet në baza të qarta ligjore, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës.
Subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave të qytetarëve.
Në këtë kuadër, AIP ka rikujtuar obligimet kryesore për subjektet politike, përfshirë sigurimin që çdo përpunim i të dhënave personale të bëhet mbi baza të ligjshme, si pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj; ndalimin e përdorimit të të dhënave të kontaktit të qytetarëve të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, nga institucionet apo për qëllime jo-politike, për marketing ose komunikim politik; respektimin e së drejtës së qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre për marketing politik dhe ndërprerjen e menjëhershme të komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit; shmangien e profilizimit të votuesve dhe përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe janë ndërmarrë masa mbrojtëse, përfshirë kryerjen e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDh) kur përdoren teknologji me rrezik të lartë dhe garantimin e transparencës së plotë ndaj qytetarëve për qëllimet, bazën ligjore dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale, si dhe publikimin e politikave të privatësisë të qarta, të përditësuara dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje profesionale për subjektet politike, me qëllim që procesi zgjedhor të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.