Qytetarët të zhgënjyer me politikanët, nuk iu besojnë premtimeve të tyre

Zhvillim ekonomik, rritje të pagës minimale, heqje të TVSH në produkte esenciale, shtesa për fëmijë e nëna lehona por edhe banesa për qifte të reja, janë vetëm disa nga premtimet kryesore të subjekteve politike që u dëgjuan të mërkurën kur edhe nisi zyrtarisht fushata zgjedhore për votimet e 28 dhjetorit. Por, pavarësisht premtimeve të subjekteve politike, fjalët e politikanëve për qytetarët janë kthyer në klishe, meqë, ata u shprehen skeptik se do të realizohen.

“Valla hiç smuj me ju besu…”, tha një qytetare për rtv21

“Po qashtu duhet me u ba qysh po thojnë, po kush me i ba hiç sju besoj”, u shpreh qytetari.

“Po nashta bajn diçka, nashta nja 20% i bajn…”, tha qytetari.

“Ishalla bre ishalla…”, tha një qytetare tjetër për rtv21

Ndonëse, premtimet që partitë politike po japin në fushata zgjedhore, përkojnë me problemet reale në Kosovë, Belgzim Kamberi nga institutit Musine Kokalari thotë se ato nuk po përmendin edhe sfidat kryesore që ka Kosova që lidhen me konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

“Partitë kryesore janë orientuar në probleme të politikave të brendshme ekonomi, çështje sociale por nuk po prekin sfidat kryesore që presin Kosovën veçanërisht dialogu me Serbinë, asociacioni e tema të ndjeshme në arenën ndërkombëtare dhe këto premtime po mbesin racionale por nganjëherë po rrëshqasin edhe në premtime megalomane…”, tha Kamberi për rtv21

Kosova që prej zgjedhjeve të 9 shkurtit hyri në një ngërç politik, i cili përveç se solli zgjedhjet e 28 dhjetorit, shkaktoi edhe humbje të mëdha për qytetarët në Kosovë, siç janë fondet e BE-së, por edhe faturat e larta, meqë në Kosovë gjatë këtij viti munguan institucionet ku do të mund të adresoheshin telashet e qytetarëve. Kamberi thotë se më 28 dhjetor do të mësohet se kë e panë qytetarët si shkaktar të bllokadës.

“Shoqëria në Kosovë është e politizuar dhe kjo reflekton edhe me pjesëmarrje në zgjedhje por do të jetë e rëndësishme vota e qytetarëve dhe të shihet se kë e kanë parë ata si shkaktar të bllokadës 9 mujore, kë do dënojnë me votë për këtë bllokadë…”, deklaroi Kamberi.

Qytetarët në Kosovë aktualisht janë duke u ballafaquar me çmime shumë të larta të produkteve në treg. Matjet e fundit të Agjencisë së statistikave për muajin nëntor flasin për një inflacion prej 5.3%, inflacion ky dukshëm më i lartë se sa në shtetet Evropiane të cilat kanë arritur të mbajnë një kosto më të ulët të jetesës. Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se subjektet politike duhet të jenë më të kujdesshme në premtimet e tyre.

“Mos të premtohen gjërat artificiale sepse një rritje e pagës një shtesë një ndihmë sociale ka ndikim tek jeta e tyre por edhe në inflacion dhe makro ekonomi kështu që ata mund të bajnë këso far politikash por kur të mandatohen opinioni do të ju lyp llogari…”, tha Kadrijaj për rtv21

Ndryshe Kosova përfundoi në zgjedhje të jashtëzakonshme, pa një buxhet të miratuar për vitin 2026, duke rrezikuar kështu që të hyjë sërish në një krizë tjetër politike por edhe ekonomike meqë pa një buxhet të miratuar nga muaji mars gjysma e qytetarëve në Kosovë rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe ndihma sociale./RTV21/21Media          

Back to top button