Policia e Kosovës njofton për shtatë raste të dhunës në familje

Gjatë 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje. Qytetet nga të cilat janë raportuar këto raste janë në Graçanicë, Gllogoc, Pejë, Gjakovë dhe Leposaviq.

Sipas raportit ditor të Policisë, një vajzë në Graçanicë ka raportuar se i dashuri i saj e ka sulmuar pas një mosmarrëveshje, për të cilën pas intervistimit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

“Ankuesja femër kosovare ka raportuar se kishin pasur një mosmarrëveshje me të dashurin e saj, mashkull kosovar dhe i cili e ka sulmuar atë fizikisht. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”

Në Gllogoc një burrë është arrestuar pasi i njëjti ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se pas një mosmarrëveshjeje verbale e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, viktimën femër kosovare. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”

Në Pejë një burrë nën ndikimin e alkoolit i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike një personi.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar –nën ndikim të alkoolit i ka shkaktuar dhunë fizike dhe psikike. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me  vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”

Kurse në qytetin e Gjakovës në të njëjtën periudhë janë raportuar tre raste të dhunës në familje. Në dy rastet një person është dërguar në mbajtje për shkak se të njëjtët të dehur janë përleshur me një person.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se në gjendje të dehur janë përleshur ndërmjet vete. Me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje ndërsa, i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt”.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se në gjendje të dehur pas një mosmarrëveshje janë përleshur ndërmjet vete. Me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje ndërsa, i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt”.

Ndërkaq në rastin e tretë të raportuar në këtë qytet, një burrë ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga një person, i cili sipas policisë gjendet në arrati.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari gjendet në arrati”.

Në Leposaviq një person është arrestuar pasi i njëjti në gjendje të dehur ka sulmuar bashkëshorten e tij.

“Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se në gjendje të dehur e kishte sulmuar bashkëshorten e tij. Pas inicimit të rastit i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”./21Media

Back to top button