Nga timoni i autobusit te pushteti absolut! Kush është Nicolas Maduro?

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur të shtunën në mëngjes nga forcat amerikane, njoftoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Administrata amerikane e akuzon Maduron për lidhje me kartelet e drogës dhe krime të rënda, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht.

Maduro lindi më 23 nëntor 1962 në një familje punëtore dhe karrierën e nisi si shofer autobusi. Ai u bë figurë politike pas afrimit me Hugo Chavez, të cilin e mbështeti fuqishëm dhe që më vonë e zgjodhi si pasardhës. Pas vdekjes së Chavezit, Maduro u zgjodh president në vitin 2013.

Sundimi i tij u shënua nga kolaps ekonomik, hiperinflacion, mungesa ushqimore dhe akuza për zgjedhje të manipuluara dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Miliona venezuelianë u detyruan të largohen nga vendi, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët vendosën sanksione të ashpra.

Maduro u betua për mandatin e tretë në janar 2025, pas zgjedhjeve të kontestuara të vitit 2024. OKB-ja dhe organizata ndërkombëtare kanë dokumentuar shkelje serioze të të drejtave të njeriut nga strukturat shtetërore gjatë sundimit të tij.

Back to top button