AME për situatën me vërshimet: Stabile dhe e menaxhueshme – niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie

Agjencia për Menaxhim Emergjent ka bërë përditësimin e fundit rreth situatës me vërshimet në vend, ku thuhet se paraqitet kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme.

Në njoftimin e AME-së thuhet se pas ndërprerjes së reshjeve intensive të shiut dhe kalimit gradual në reshje bore, niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie dhe se në shumicën e rajoneve nuk është raportuar nevoja për ndërhyrje emergjente.

“Reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona, prandaj qytetarët ftohen të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në rrugët malore dhe ato dytësore”, thuhet në njoftim.

Agjencia ka deklaruar se institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri të plotë, situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe Qendra Operative e AME-së është e gatshme të reagojë dhe të koordinojë ndihmën sipas nevojës 24/7.

Më poshtë gjeni detaje rreth gjendjes sipas rajoneve:

-Rajoni i Prishtinës: Situata e qetë dhe stabile, pa nevojë për intervenime; monitorimi vazhdon.

-Rajoni i Prizrenit: Nuk janë raportuar intervenime apo thirrje emergjente; rrugët janë të kalueshme, me kujdes në zonat malore për shkak të ngricave.

-Rajoni i Mitrovicës: Gjendja më e qetë, pa rrezik për vërshime të reja; ekipet vazhdojnë mbështetjen për personat e evakuuar më herët.

-Rajoni i Pejës: Situatë stabile në të gjitha komunat; përjashtim mbetet rruga Junik–Jasiq, e cila vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të shembjes së dheut.

-Rajoni i Gjakovës: Rënie e nivelit të ujit në lumenj; situatë e menaxhueshme, me bllokim lokal rruge nga shembja e dheut.

-Rajoni i Gjilanit: Nuk janë raportuar vërshime; gjendja e qetë në të gjitha komunat.

“Falënderojmë secilin Zjarrfikës Shpëtues për dedikimin dhe heroizmin në operacionet e shpëtimit dhe ndihmës, njësitë e Policisë së Kosovës , Forcën e Sigurisë Kosovës, Kryetarët e Komunave dhe drejtoritë të cilat u mobilizuan nga momentet e para në Koordinim me Agjencinë, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrin e Ministrisë Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, për përkushtimin dhe mbështetjen e plotë dhe pa rezervë Agjencisë në menaxhimin e kësaj situate të shkaktuar nga të reshurat e ditëve të fundit”, thuhet në fund të njoftimit.

Back to top button