PZAP merr vendim për të gjitha ankesat, kur do të shpallen rezultatet përfundimtare?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të premten, ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Lidhur me këtë çështje PZAP tha për rtv21 se në këtë proces zgjedhor ka pranuar gjithsej 73 ankesa për të cilat tashmë PZAP ka marr vendime. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se pas përfundimit të proceseve ankimore, KQZ është e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
“Të premtën në ora 02:00 ka përfunduar numërimi i të gjitha fletëvotimeve që kanë qenë për tu numëruar. Tash jemi në procedurën e ankesave, palët kanë të drejtë të ankohen lidhur me administrimin e numërimit në qendrën e numërimit dhe rezultateve brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, dhe jo për ato se çfarë kanë ndodhur më herët. Pasi të përfundojnë këto dhe KQZ i kryen obligimet që dalin qoftë nga PZAP qoftë nga Gjykata Supreme bënë shpalljen përfundimtare të rezultateve, pastaj hapet një afat ankese për palët lidhur me shpalljen e rezultateve dhe pasi që të përfundojnë të gjitha këto atëherë KQZ mund të certifikojë rezultatet dhe të përmbyllë këtë proces zgjedhor…”, tha Elezi për rtv21
PZAP ndër të tjerash, hodhi poshtë edhe ankesën e kandidatit për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu me arsyetimin se ishte e pasafatshme. Haxhiu, ishte ankuar se KQZ ka pranuar fletëvotimet me postë pas afatit të caktuar, duke pretenduar kësisoj se pranimi dhe numërimi i mbi 23 mijë votave ka ndryshuar rezultatin zgjedhor, dhe e ka lënë atë jashtë Kuvendit. Megjithatë, Haxhiu por edhe palët e tjera kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë edhe në Gjykatën Supreme, brenda afateve të caktuara.
Ndonëse nuk dihet se kur mund të ketë certifikim të rezultateve zgjedhore dhe rrjedhimisht përmbyllje të këtij procesi, ajo që dihet është se menjëherë pas përfundimit të këtyre procedurave, presidentja duhet të thërras seancën konstituive në një afat prej 30 ditësh, thotë ish-kryetari i Gjykatës së apelit Hasan Shala.
“Thirret seanca konstituive, bëhet konfirmimi i mandateve, bëhet betimi i deputetëve, zgjedhjet kryetari dhe 5 nënkryetarët dhe pastaj brenda 10 ditëve presidentja sërish thërret seancën për formimin e qeverisë…, tha Shala për rtv21.
Por, edhe pse zgjedhjet e 28 dhjetorit, krijuan një rezultat shumë të favorshëm për LVV-në e cila mund të formojë qeverinë e vetme, një çështje tjetër rrezikon ta fus Kosovën sërish në një bllokadë politike, zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
“Me pas vullnet nuk bllokohet, mos me pas bllokohet, sepse është shumë e thjeshtë posti i nënkryetarit nga komuniteti serb i takon partisë shumicë serbe që është Lista Serbe, Nenad Rashiqin e ka propozu kryetari i Kuvendit dhe jo subjekti politik që është shkelje e rregullores…”
Lëvizja Vetëvendosje e cila ka siguruar 57 ulëse në Kuvend ka paralajmëruar se nuk do ta votojë asnjë kandidat nga Lista Serbe për nënkryetar të Kuvendit duke favorizuar rizgjedhjen deputetit serb Nenad Rashiq. Ky i fundit ka shfaqur gatishmëri të heq dorë nga posti i ministrit për komunitete dhe kthim për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nëse këtë ia lejon Gjykata Kushtetuese. RTV21 merr vesh se ankesa e Listës Serbe është drejt përfundimit të shqyrtimit./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?