KQZ merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime, dhjetë komuna në rinumërim të plotë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që 914 vendvotime të shkojnë në rinumërim, pas gjetjeve nga procesi i verifikimit të votave të kandidatëve.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku u prezantua raporti nga verifikimi i votave të kandidatëve për 2 për qind të vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas raportit, më 10 janar 2026 Sekretariati i KQZ-së ka shqyrtuar videoincizimet e kamerave të vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, ku janë evidentuar raste të mospërputhjes së votave për kandidatë. Pas këtyre gjetjeve, Sekretariati ka kryer verifikim të brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, përkatësisht në 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.