Nga nesër Kosova nis zbatimin e dy ligjeve të rëndësishme

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar se nga dita e nesërme fillon zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas Bislimit, në fazën e parë të zbatimit, vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me këto ligje. Kjo periudhë e zbatimit afirmativ do të zgjasë deri më 15 mars.

Pas kësaj date, do të nisë zbatimi i plotë i të gjitha procedurave dhe rregullave të përcaktuara me Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet.

Ai ka shkruar në Facebook se kjo periudhë tranzitore duhet të shfrytëzohet maksimalisht për të filluar procesin e integrimit përmbajtësor të sistemit shëndetësor dhe atij arsimor në të gjithë territorin e vendit, në funksion të zbatimit të plotë dhe efikas të legjislacionit të ri.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, të gjithë ata që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.

Ndërkohë, me zbatimin e Ligjit për komunikacionin, automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.

Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.

Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.

Elshani tha se ligji nuk do të zbatohet strikt për ata që jetojnë në Kosovë dhe që për ndonjë arsye nuk kanë dokumente kosovare.

“Ne nuk do t’i dëbojmë këta persona, nuk do t’i ndajmë nënat nga fëmijët apo baballarët nga fëmijët”, tha ai, duke shtuar se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.

“Zbatimi do të bëhet gradualisht, nuk do të dëbohet askush menjëherë. Për shembull, nëse në orën 02:00 të mëngjesit policia takon dikë në rrugë dhe ai nuk ka dokumente kosovare, ai do të njoftohet që duhet të paraqitet në stacionin policor”, shpjegoi Elshani.

Në manualin “Udhëzuesi për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e të huajve në Republikën e Kosovës”, i publikuar vitin e kaluar, shpjegohet procedura për marrjen e lejes për “qëndrim të përkohshëm, afatshkurtër ose të përhershëm”.

Vendimin për lëshimin e lejeve do ta marrë Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Nga Policia e Kosovës thanë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.

Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.

Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.

“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.

Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.

Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.

Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.

Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.

Back to top button