Çfarë duhet të dini para se të hyni në Kosovë nga 15 marsi 2026?

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se ka publikuar një dokument udhëzues për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës, me qëllim informimin e tyre për detyrimet ligjore gjatë hyrjes, qëndrimit dhe punësimit në vend.
Sipas njoftimit, çdo shtetas i huaj, me rastin e hyrjes në Kosovë, obligohet të posedojë dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, të respektojë qëllimin dhe afatin e qëndrimit, si dhe të lajmërojë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh nga hyrja në vend. Po ashtu, kërkohet respektimi i ligjeve të Republikës së Kosovës dhe mospërbërja e kërcënimit për sigurinë dhe shëndetin publik.
Ministria ka bërë të ditur se qëndrimi afatshkurtër lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh, pa të drejtë punësimi pa leje pune. Çdo qëndrim mbi këtë afat kërkon aplikim për lejeqëndrim. Për qëllime punësimi, shtetasit e huaj duhet të pajisen me leje qëndrimi të përkohshme dhe leje pune, ndërsa puna pa leje është e ndaluar.
Gjithashtu, për qëndrime për studime, ribashkim familjar, arsye humanitare apo kërkime shkencore, kërkohet pajisja me lejeqëndrim të përkohshëm dhe plotësimi i kritereve ligjore përkatëse. Aplikimet mund të bëhen në misionet diplomatike ose në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion, në rastet kur nuk kërkohet vizë hyrëse.
Ministria paralajmëron se mosrespektimi i këtyre rregullave mund të rezultojë me masa ligjore, përfshirë anulimin e lejeqëndrimit, gjoba, urdhër largimi apo ndalim të hyrjes në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit, zbatimi i plotë i këtyre rregullave fillon më 15 mars 2026, ndërsa çdo hyrje pas kësaj date që nuk është në përputhje me udhëzuesin do të rezultojë me ndalim hyrjeje në Kosovë.