​Video-incizimet flasin ndryshe, IPK demanton akuzat ndaj policies

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se pas hetimeve dhe verifikimeve të kryera lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, është konstatuar se këto pretendime nuk qëndrojnë.

Si pasojë, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Sipas komunikatës për media, para mesnatës së 13 janarit 2026, IPK-ja është njoftuar nga Policia e Kosovës për një person i cili pretendonte se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë. Incidenti ishte raportuar të kishte ndodhur tek Ura e Bistricës në Leposaviq, pak pas orës 22:00.

“Ankuesi kishte deklaruar se ishte ndaluar në një pikë kontrolli derisa po drejtonte një automjet të tipit Audi A4, me targa të Republikës së Serbisë, në të cilin ndodheshin edhe dy pasagjerë. Ai kishte pretenduar se gjatë kontrollit ishte goditur dhe keqtrajtuar nga zyrtarët policorë, duke pësuar lëndime në qafë, bërrylin e majtë, dorën e djathtë dhe në këmbë, për çka kishte kërkuar edhe trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Po ashtu, kishte deklaruar se njëri nga zyrtarët policor kishte goditur edhe shokun e tij me kondak të armës në këmbë”, thuhet nw komunikatw.

Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së, në konsultim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, kanë ndërmarrë menjëherë veprime hetimore. Në kuadër të hetimit janë intervistuar ankuesi në cilësinë e dëshmitarit, në prani të avokatit të tij, si dhe janë siguruar prova materiale, përfshirë edhe video-incizime nga kamerat e sigurisë që mbulonin pikën e kontrollit.

Pas analizimit të provave dhe pamjeve video, IPK-ja ka konstatuar se incizimet nuk përputheshin me pretendimet e ankuesit dhe se zyrtarët policorë nuk kishin tejkaluar autorizimet e tyre, as kishin përdorur forcë.

Bazuar në këto gjetje, hetuesit e IPK-së kanë vlerësuar se pretendimet ishin të sajuara dhe i kanë paraqitur rastin prokurorit kompetent, i cili ka kërkuar inicimin e hetimit penal ndaj ankuesit për dyshimin e kryerjes së veprës penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Back to top button