Dialogu Kosovë–Serbi, funksionalizohet Komisioni i përbashkët për Personave të Pagjetur

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimet e radhës të dialogut Kosovë–Serbi në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.

Sipas Qeverisw, tema kryesore e këtyre takimeve ishte funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur me Dhunë, në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas përfundimit të takimeve, Bislimi ka deklaruar se pjesa më e madhe e diskutimeve është zhvilluar në takime bilaterale, fillimisht ndërmjet palës kosovare dhe Bashkimit Evropian, e më pas edhe ndërmjet palës serbe dhe BE-së.

Sipas tij, takimet kanë qenë të suksesshme dhe kanë rezultuar me dakordim për funksionalizimin e Komisionit të Përbashkët, duke hapur rrugën për zbatimin konkret të marrëveshjes për personat e pagjetur.

Bislimi bëri të ditur se në javët në vijim pritet që zëvendësit e palëve të takohen për të përcaktuar prioritetet e para të punës së këtij komisioni.

Ai shtoi se, përveç temës së personave të zhdukur, në takime janë prekur shkurtimisht edhe çështje të tjera, për të cilat priten zhvillime në të ardhmen, pas formimit të qeverisë, por theksoi se fokusi kryesor ka mbetur zbatimi i marrëveshjes për personat e zhdukur me dhunë.

Back to top button