Veliu: Nëse nuk ndryshojmë tani, humbjet vetëm do të vazhdojnë

Anëtari i Kryesisë së LDK-së Agim Veliu, ka bërë një thirrje publike për reformim të menjëhershëm të Degës së LDK-së në Podujevë.

Veliu , e cilësoi gjendjen aktuale si krizë të thellë politike dhe organizative.

Sipas tij tha se pesë humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore janë pasojë direkte e një drejtimi të gabuar dhe mungesës së përgjegjësisë politike.

“Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi”, ka deklaruar Veliu.

Ai ka kujtuar se për më shumë se tri dekada, kjo degë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve.

“Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj”, ka shtuar ai.
Sipas Veliut, pas largimit të tij nga drejtimi i degës, janë marrë vendime që i ka cilësuar si kundërstatutore dhe pa legjitimitet.
“Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet. Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë”, u shpreh Veliu.

Më tej ai tha se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, LDK në Podujevë nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo është alarm serioz dhe kërkon reagim të menjëhershëm”, tha ai./21Media

Back to top button