Murseli: S’kisha qëllim ta blija ar*ën nga e cila do v*itej gruaja ime

(Lajm i përditësuar)
Gjykata refuzon propozimet e mbrojtjes për prova shtesë në rastin e Liridona Ademajt
Në seancën gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademaj trupi gjykues ka refuzuar propozimet e mbrojtësve të të akuzuarve, Naim Murseli,Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava për plotësimin e procedurës së provave.
Edhe sot në gjykatore u sollën me pranga në duar të akuzuarit, derisa u shoqëruan me siguri të lartë.
E qysh në nisje të seancës i akuzuari, Naim Murseli kërkoi konsultim me avokatin e tij.
Fillimisht kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku bëri të ditur se mbrojtësit e të akuzuarit kanë parashtruar kërkesa të reja.
Mbrojtja e Naim Murselit ka kërkuar rikontruim të vendit të ngjarjes, ndërsa, avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla ka kërkuar të dëgjohet dëshmitari Tafil Kokalla.
E mbrojtësi i Granit Plavës ka kërkuar që klientit të tij t’i bëhet ekspertizë shtesë lidhur me gjendjen psikike të Granit Plavës në kohën e kryerjes së veprës penale.
Kryetarja e trupit gjykues, Fatmire Dërmaku tha se prokuroria ia ka lënë në dorë të vendos trupit gjykues për kërkesat e mbrojtjes së Kokallës dhe Plavës.
Murseli: S’kisha qëllim ta blija ar*ën nga e cila do v*itej gruaja ime
Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, Naim Murseli ka dhënë versionin e tij për ditën kritike kur u vra bashkëshortja e tij Liridona Ademaj. Ai tha se në restorantit kur kanë shkaur për të darkuar nuk e ka parë Granit Plavën në asnjë moment, ndërsa lidhur me armën- tha se asnjëherë nuk e kishte qëllim të blente armën me të cilën do të vritej gruaja e tij dhe se vrasjen nuk e ka menduar asnjëherë.
I pyetur lidhur me revolen e blerë nga Tom Dodaj, i akuzuari Naim Murseli tha se ajo revole është blerë në mënyrë spontane, duke thënë se e dinte që Granit Plava e kishte gjendjen e rëndë ekonomike dhe kur Dodaj ua ofroi për shitje armën, Plava ishte i interesuar, e që e bleu, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas Murselit, të akuzuarin Dodaj nuk e njihte, duke shtuar se armët nuk i ka dashur kurrë. Tha se edhe vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj, Leonardi, e di që nuk i ka dashur armët.
Lidhur me video-incizimet ku shihet edhe i akuzuari Plava me veturë, Murseli tha se kur kishte shkuar në restorant me Liridonën dhe fëmijët, nuk e ka parë Plavën. Tha se edhe një javë më parë kishte qenë aty për darkë me Liridonën dhe prindërit e saj, dhe fëmijët.
“Por, më 29 nëntor, unë nuk e kam pa Granitin as në restorant, as jashtë, as makinën, në asnjë moment. Ju betohem. Ajo video s’ka asgjë lidhje me ndonjë shenjë apo diçka komplet absurde”, tha ai.
Në atë darkë, i akuzuari Murseli tha se qëndruan rreth 30-45 minuta dhe nga aty ai i kishte thënë Liridonës të shkojnë në Prishtina Mall, por që ajo i ka thënë se është lodhur dhe janë nisë për në shtëpi.
“Liridona tri ditë ishte te familja e saj në Rracaj dhe kur unë isha në Gjakovë, Liridona më thirri papritë dhe më thotë kam ardhë në Prishtinë. Edhe menjëherë kur më tha unë jam kthy, i kam thanë Granitit, edhe ai më tha se edhe ai ka me shku në Prishtinë. Para blerjes së armës, harrova me thanë, ajo ka ndodh spontanisht, aryseja pse shkuam aty ishte sepse goma e veturës ishte shpërthyer dhe rastësisht e kemi gjet atë servis, ashtu ndodhi blerja- krejt spontnaisht”, tha Murseli.
Sipas tij, ai nuk kishte qëllim ta blente armën.
“S’kam pas qëllim m’u ble ajo armë nga e cila armë do të vritej gruaja ime. Asnjëherë, kurrë vrasjen e gruas time nuk e kam mendu. Familja Ademaj më njeh shumë mirë, se edhe tezja ime është e martuar aty, edhe e dijnë mirë se s’kam qenë problematik, kriminel, drogirash. Unë as cigare nuk pi dhe nëse kjo nuk është e vërtetë, le të fol Leonardi. Unë as shoqërinë nuk e kam pas të tillë, asnjëherë”, tha Murseli.
“Larg qoftë”- u përgjigj Naim Murseli kur u pyet se a ka pasur marrëveshje me dy të akuzuarit Plava dhe Kokalla për vrasjen e gruas së tij.
“Larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë”, Naim Murseli flet për raportin që kishte me tani të ndjerën Liridona Ademaj
I akuzuari Naim Murseli në fillim të mbrojtjes së tij para trupit gjykues, foli për raportet që kishte me tani të ndjerën Liridona Ademaj, ku tha se raportet e tyre ishin të mira dhe se nuk ka ushtruar asnjëherë dhunë ndaj saj.
Fillimisht, Museli tha se qëndron pranë deklarimeve të dhëna në Prokurori. Ndërkaq, më pas tregoi për raportet që, sipas tij, i kishte me bashkëshorten e tij- tani të ndjerën Liridona Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Unë me Liridonën jam fejuar në vitin 2010, më 21 prill dhe jemi martuar më 11 dhjetor 2011. Që i bie, i kam pas 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat kemi dy fëmijë. Marrëdhënia jonë ka qenë e mirë, e lumtur, Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë shumë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme”, tha Murseli.
Ai tha se kanë jetuar në Suedi, derisa tani e ndjera pas tri vitesh qëndrimi atje, është bërë shtetase suedeze. Tha se asnjëherë s’kanë pasur ndonjë ndarje dhe se gjithçka ishte në rregull mes tyre.
Murseli tha se edhe vëllai i tani të ndjerës, Leonard Ademaj, ka treguar se Liridona nuk është ankuar asnjëherë për ndonjë gjë në lidhjen mes tyre.
“Asnjëherë në jetën time, larg qoftë me ushtru dhunë apo diçka e tillë. Ato gjëra nuk kanë ekzistu në lidhjen tonë”, tha Murseli.
I akuzuari tha se të ardhura financiare kishin mjaftueshëm, ngase kishin një restaurant dhe një kompani pastrimi bashkë me bashkëshorten. Sipas tij, të hyrat vjetore të tij ishin diku 45 mijë euro, ndërkaq të Liridonës afër 20 mijë.
Murseli tha se është marrë edhe me investime online, shërbime të marketingut online për biznese.
I pyetur lidhur me polisën e sigurimit, ai tha se secili shtetas i Suedisë e ka sigurimin shtëpiak dhe jetësor, e në këtë rast e kishin edhe ai e Liridona, në të njëjtën shumë.
“Ajo shumë 3 milionë kruna, 260 mijë euro, nuk është shuma maksimale e polisës. Ajo mund të rritet deri në 600 mijë euro, nëse pala ka interes”, tha Murseli.
Ai theksoi se nuk mund të hapë polisë për dikë tjetër, pa qenë personi prezent, ngase është individuale.
Lidhur me raportin me tani të ndjerën, ai tha se sikurse secili çift, kanë pasur ndonjëherë grindje por jo deri në ftohje maksimale të marrëdhënies.
Murseli tha se krahas bizneseve në Suedi, ka pasur biznes edhe në Kosovë, ku është aksionar në një të tillë. Tha se bashkë me tani të ndjerën kanë blerë shtëpi më 2023 në Kosovë.
Atëkohë, sipas Murselit, kishte ardhë në Kosovë deri nga qershori deri në nëntor është marrë vazhdimisht me atë shtëpi, që të pëgatitet për banim.
Lidhur me të akuzuarin Granit Plava, Murseli tha se ka qenë hera e parë që është takuar me të pa Kushtrim Kokallën (djalin e dajës), ndërkaq dy herë të tjera e ka takuar me të. Ai shtoi se nuk kishte miqësi me Plavën, por vetëm e njeh përmes Kokallës, duke shtuar se bisedat kanë qenë vetëm për shëtitje.
Sot mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë tre të akuzuarit për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.
Dy të akuzuarit e parë kishin pretenduar se kanë çrregullime mendore, por Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka konstatuar se asnjëri prej tyre nuk ka pasur problematika të tilla shëndetësore gjatë kohës së kryerjes së veprës penale.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Ndërkaq, Granit Plava nuk ishte deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kushtrim Kokalla kishte thënë se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me sanksionin penal për Tom Dodajn, i cili akuzohet për shitjen e armës me të cilën është kryer vrasja. Apeli e ka dënuar Dodajn me tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.