Mbeturinat në Prishtinë, reagon Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka arsyetuar se iu kërkua ndihmë nga kompania rajonale e mbeturinave, “Pastrimi”, pas lidhjes së kontratës me negocim me një kompani private për menaxhimin e mbeturinave.

Sipas Ramës, “Pastrimi” tash e një kohë po përballet me probleme në menaxhimin e grumbullimit të mbeturinave, për shkak të pamundësisë teknike momentale për të ofruar kapacitet të plotë operativ, ku përfshihet edhe mungesa e stafit.

“Menjëherë pas pranimit të kërkesës, Komuna e Prishtinës ka ofruar mbështetjen e nevojshme dhe ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Ndërmarrjen Rajonale ‘Pastrimi’, në të cilën janë përcaktuar ndihmat konkrete dhe parimet bazë të bashkëpunimit ndërinstitucional”, ka deklaruar Rama.

Sipas marrëveshjes së publikuar nga Rama në Facebook, neni 4 ku parashihen obligimet e kompanisë “Pastrimi”, në paragrafin 1.5 thuhet se “KRM Pastrimi do të ofrojë resurset e veta në shërbim të kontrollit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së operatorëve ekonomikë të angazhuar nga Komuna e Prishtinës, duke i raportuar drejtpërdrejtë Komunës së Prishtinës”.

Kryetari i Prishtinës theksoi se ky bashkëpunim pritet të rrisë kapacitetet operative në terren, duke mundësuar shërbime më të shpejta dhe më efikase.

Back to top button